
GJKKO ka lënë në fuqi masën e detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit për ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili akzuohet për shpërdorim detyre në dosjen e koncesionit të sterilizimit.
“Kirurgët operojnë në kushte sterile, financave i kursen 2.4 ditë qëndrimi në spital”, kështu e mbrojti tenderin e sterilizimit ish-ministri Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Pasi doli nga GJKKO ku iu komunikua dhe masa ‘detyrim paraqitje’, Beqaj tha se përveç rezervave, ka vendosur që mos të kundërshtojë vendimin. Ai tha se sterizilimi i dha mundësi më të mirë spitaleve.
“Përveç rezervave, kam vendosur që mos të kundërshtojë. Ajo që kemi bërë për shëndetësinë ka qenë një gjë e mirë. Për çështjen në fjalë bëhen 8 vite për çështjen në fjalë. Në këto 8 vite 400 kirurgët operojnë në kushte bashkëkohore, shqiptarët operohen në kushte sterile, dhe në çdo operacion i kursehen qëndrimet në spital."-tha Beqaj.
"Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 127 Akti, datë 20.11.2023, vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, me vendimin Nr. 119, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi."- thuhet në vendim.
Beqaj, po hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe për të gjykata e posaçme caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Ish-ministri, ndonëse ishte në dijeni të qendrës moderne të sterilizimit, të ngritur në QSUT, nuk mori asnjë masë për vënien e saj në funksion. Ai nuk bëri asnjë studim paraprak, për të vlerësuar nëse vënia në funksion e qendrës së sterilizimit, do të ishte më e favorshme ekonomikisht.
Gjyqtari Erjon Bani në vendimin për caktimin e masës së sigurisë për Beqajn, sqaroi se ministri do të duhej të kishte konstatuan fryrjen e kostove, ndërsa janë kryer shkelje në procedurën e dhënies së koncesionit, për shkak se procedura e ndjekur për rastin në fjalë, nuk parashikohej nga ligji.
Në vendim analizohen edhe udhëtimet që Ilir Beqaj ka bërë me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili zotëron 40 për qind të kontratës koncesionare dhe që aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën çështje.
Ish-ministri Beqaj ka deklaruar se nuk e ankimon vendimin, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për hetimin e SPAK, e nga ana tjetër ka mbrojtur koncesionin e sterilizimit.
Lini një Përgjigje