TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Qershor 2025, 20:23

 “Kumbari” i IKMT-së Fatmir Metaj, shemb lokalet me leje dhe mbron vilat e miqve ‘mafiozë’

Shkruar nga Pamfleti

 “Kumbari” i IKMT-së Fatmir Metaj, shemb lokalet me leje

Mbrëmjen e djeshme, fadromat e IKMT-së (Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit) ndërhynë sërish në bregdetin e Durrësit për të vijuar aksionin e shembjes së ndërtimeve të konsideruara pa leje. Por mes objekteve të prekura, ndodhej edhe një subjekt privat që, sipas dokumentacionit zyrtar, gëzonte të gjitha lejet për funksionim të ligjshëm.

Subjekti “Shtëpia e Luleve – Kamelja” sh.p.k., që ushtronte aktivitet si beach-bar, hotel dhe dhoma plazhi, ishte pajisur me leje për strukturë shërbimi në stacion plazhi në datën 29 maj 2023, e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe e firmosur nga sekretarja e këtij institucioni, znj. Ledia Tota.

Shembja e lokalit Bech Bar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) është vetëm fasada e një skeme shumë më të thellë, ku ligji nuk zbatohet për të gjithë, por vetëm për ata që nuk kanë “mbrojtës politikë”.

Në qendër të kësaj maskarade qëndron Fatmir Metaj, drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve pranë IKMT-së  një funksionar i akuzuar publikisht për shpërdorim detyre, korrupsion dhe ekzekutim të vendimeve mbi bazë klienteliste dhe financiare. Por kulmi i skandalit nuk është vetëm shembja e një lokali, por mbrojtja flagrante e një ndërtimi tjetër pa leje, në pronësi të Helidon Gjikokës, mik personal i Fatmir Metajt.

Ndërkohë që për lokalin Bech Bar vendimi ekzekutohet me urgjencë dhe eskortë policie, për ndërtimin e Gjikokës  që ka një vendim të prerë për shembje  Fatmir Metaj ka refuzuar ta prekë, duke përdorur një argument të frikshëm që duhet të alarmojë çdo qytetar dhe institucion në këtë vend. “Nuk e prek dot atë objekt, se Helidonin e mbron vetë Rama!”

Kjo deklaratë, e ardhur nga një zyrtar i shtetit, është rrëqethëse. Ajo është provë direkte e kapjes së institucioneve dhe zëvendësimit të ligjit me autoritetin e klientelës politike.

Por emri i Helidon Gjikokës nuk përmendet vetëm si hajdut. Ai lakohet prej kohësh si pjesë e mafies së pronave në jug të Shqipërisë, ku me metoda abuzive, falsifikime dhe shfrytëzim të lidhjeve me pushtetin, janë uzurpuar prona publike e private në vijë bregdetare. Prania e tij në këtë skenë nuk është rastësi  është pjesë e të njëjtit model: kap territorësh, legalizime të paligjshme dhe mbrojtje me bekim politik nga lart.

Durrësi sot është një vijim i asaj që ka ndodhur në Dhërmi, Jalë, Ksamil e më gjerë  ku pronat ndahen me porosi, betoni hidhet pa frikë dhe qytetarët shtypen me ekskavatorë, ndërsa mafiozët me kostume marrin mbrojtje nga strukturat e shtetit.

Fatmir Metaj nuk është thjesht një zyrtar i korruptuar ai është hallka operative e një strukture të rrezikshme, që lidh administratën, krimin dhe pushtetin politik në një zinxhir të vetëm abuzimi.

Nëse Shqipëria nuk reagon ndaj këtij skandali, atëherë çdo vendim, çdo institucion dhe çdo betejë për shtet ligjor është veçse fasadë. Sepse, siç dëshmon ky rast, kur shteti e përdor ligjin për hakmarrje dhe e pezullon për miqtë, nuk është më shtet, është regjim klientelist me fytyrë mafioze. /Infront-al.com/

Lini një Përgjigje