TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2025, 20:07

Atentatori përdori silenciator, zbardhen detaje nga vrasja e Pjetër Kazës; u qëllua më 12 plumba në oborrin e banesës

Shkruar nga Pamfleti

Atentatori përdori silenciator, zbardhen detaje nga vrasja e Pjetër

Të tjera detaje janë zbardhur nga ekzekutimi i 57-vjeçarit Pjetër Kaza, i cili u qëllua me breshëri plumbash, në oborrin e banesës së tij, të dielën e 1 qershorit.

Në emisionin “Në Shënjestër”, gazetarja Klodiana Lala, bëri të ditur se Kaza sapo kishte lënë punën e tij në minierë dhe si çdo mbrëmje po kthehej në banesën e tij në Tale të Lezhës aty ku jetonte me familjen.

Ishte ora 01:00 e mëngjesit e datës 1 Qershor kur ai ndërsa po bëhej gati të hapte portën e madhe të banesës së tij, teksa e ndanin vetëm pak hapa nga hyrja në shtëpi, nga një armë zjarri u derdhën 12 plumba drejt trupit të tij, që i morën jetën pa i dhënë asnjë mundësi shpëtimi duke e shpuar tej e përtej.

Mendohet se autori apo autorët kanë përdorur një armë zjarri me silenciator, për të mos u dëgjuar krismat pasi plumbat nuk u dëgjuan nga askush, as nga vetë familjarët e tij të cilët duhet të prisnin mëngjesin, për të kuptuar se i afërmi i tyre kishte humbur jetën tragjikisht në derën e banesës, ndërsa ata e prisnin si zakonisht të kthehej në banesë.

Policia grumbulloi në vendngjarje të paktën 12 gëzhoja plumbash dhe mori dëshmitë e para për krimin.

E para që iu përgjigj hetuesve ishte bashkëshortja e viktimës, e cila konfirmoi se e gjeti të shoqin të vrarë në orën 05:00 të  mëngjesit, edhe pse nuk kishte dëgjuar asnjë krismë, që  t’i tërhiqte vëmendjen.

“Bashkëshortja e viktimës deklaron se e gjeti të vrarë bashkëshortin në orët e para të mëngjesit, dhe makina ishte ende e ndezur. Ajo tha se bashkëshorti nuk ruhej për shkak se kishte humbur 2 vëllezër për motive gjakmarrje dhe i treti ndodhej në burg”, thuhet në dëshminë e bashkëshortes së Pjetër Kazës para grupit hetimor.

Vrasja e Pjetër Kazës riktheu edhe njëherë hijet e frikshme të një gjakmarrje mes fiseve Kaza dhe Gjini mbi 30-vjeçare, që deri më sot ka prodhuar 5 viktima.

Përplasja e fisit Kaza me atë Gjini e ka gjenezën në vitin e largët 1994. Plot 31 vite më parë, koha kur nisi edhe një gjakmarrje që duket se vazhdon edhe sot.

Lini një Përgjigje