TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2025, 19:47

Pas aferave dhe skandaleve, Ermal Onuzi largohet nga drejtimi i Gardës së Republikës

Shkruar nga Pamfleti

Pas aferave dhe skandaleve, Ermal Onuzi largohet nga drejtimi i Gardës

Ermal Onuzi njihet për lidhje me krimin, spiunllëqe dhe lloj e lloj të zezash...

Ermal Onuzi nuk e pati të gjatë në krye të Gardës së Republikës. Sipas burimeve, ai ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme nga posti që mori në shtator të vitit të kaluar.

Onuzi është konsideruar si një nga figurat më të kontestuara që ka drejtuar Gardën, duke qenë se në vetëm 9 muaj janë grumbulluar akuza të shumta dhe ankesa ndaj tij. Një nga skandalet më të rënda lidhet me “dhurimin” e Qendrës Stërvitore të Gardës për ndërtimin e kullave.

"Pamfleti" denoncoi më herët se, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kishte ngritur një grup pune me juristë dhe specialistë për t’i hequr Gardës sipërfaqen e tokës ku ndodhet Qendra Stërvitore, në zemër të zonës së mbrojtur te Liqeni Artificial i Tiranës.

Pas gjoja katër muajsh “studim”, grupi i punës përgatiti dokumentacionin për të nxjerrë nga inventari 20 mijë m² tokë, duke e kaluar për përdorim tek Agjencia e Zhvillimit të Territorit, e drejtuar nga Edi Rama, e cila e kishte piketuar si zonë për ndërtime.

Kërkesa për këtë transferim është firmosur nga vetë Ermal Onuzi në tetor 2024, vetëm një muaj pasi u emërua në detyrë – një emërim që u bë me ndryshim ligji të posaçëm.

Një tjetër skandal i rëndë lidhet me përgjime të paligjshme. Sipas një raporti të dorëzuar te kryeministri Edi Rama dhe ministri Ervin Hoxha, nga oficerë dhe truproja të Gardës, Onuzi kishte ngritur një rrjet mbledhjeje të dhënash mbi ministra dhe zyrtarë të institucioneve si SPAK, BKH dhe Gjykata e Posaçme. Oficerët pretendojnë se janë urdhëruar të kryejnë veprime të paligjshme të survejimit.

Për më tepër, Onuzi dyshohet se së fundmi ka ushtruar detyrën pa certifikatë sigurie, çka përbën shkelje të rëndë të protokolleve të sigurisë shtetërore.

Sipas dosjes personale dhe Regjistrit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, rezulton se atij i është hequr përgjithmonë certifikata e sigurisë, në muajin shkurt 2023, kur u shkarkua nga detyra si Zv/drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës e Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Ai u shkarkua me kërkesë të zyrës së NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes, për cenim të Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, duke i shitur në grupe interesi e agjenci të huaja, dhe për kontakte me eksponentë të botës së krimit edhe në trafikun e armëve.

Lidhjen me krimin, Ermal Onuzi e nisi në vitin 2005 me dhëndrin e Sali Berishës, Feriz Breçanin, kur bashkë me të ishte shef sektori gjurmimi të trafiqeve në Shërbimin Informativ të Ushtrisë.

Në 6 raporte të SHISH e Anti-Trafikut në vitet 2006-2009, të cilat janë në arkivën e Policisë së Shtetit, Prokurorisë e Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se Feriz Breçani e Ermal Onuzi, funksionarë të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, lejonin dhe nuk raportonin trafik droge e armësh, prej personave nga Tropoja, Kukësi, Dibra, Podgorica e Gjakova, madje dhe me automjetet e ushtrisë me logo të Shërbimit Informativ të Ushtrisë e Policisë Ushtarake.

Bashkëpunim me krimin, Drejtori i Gardës, Ermal Onuzi, ka bërë në 18 raste të konstatuara nga policia, SHISH e Anti-krimi në periudhën mars 2023-janar 2024, kur ishte drejtor operacionesh anti-trafik e anti-kontrabandë te kompania e sigurisë “S2 Secure Albania” në Portin e Durrësit.

Emri i krye-gardistit Ermal Onuzi, doli dhe më 8 dhjetor 2023 kur ishte shef kontrolli në Portin e Durrësit; dhe nga hetimet, rezultoi se lejoi konteinerin e Bana-King me 55 arka kokainë. Pra duket se me largimin e tij, Garda e Republikës ka shpëtuar nga zaptimi i krimit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje