Aktualitet25 Maj 2023, 22:56

Presioni vijon edhe natën, Muhamet Rrumbullaku dërgon policë civilë te partia e Arlind Qorit

Shkruar nga Pamfleti

Presioni vijon edhe natën, Muhamet Rrumbullaku dërgon policë

Policia ka mësyrë gjatë gjithë ditës së sotme tek selia e Lëvizjes Bashkë. Anëtarët e partisë së Arlind Qorit protestuan sot paradite për rritjen e pagave, por policia më pas kërkoi arrestimin e tij. Shumë efektivë rrethuan selinë, por ikën duarbosh. Por si duket Muhamet Rrumbullakut nuk i ka dalë inati dhe në darkë ka dërguar policë civilë  

Reagimi i Lëvizjes Bashkë

Sot në mbrëmje në selinë e Lëvizjes BASHKË u paraqitën dy civilë që pretendonin se ishin punonjës të policisë së shtetit. Pak më larg qëndronte një grup civilësh të tjerë. Arsyeja e pretenduar e pranisë së tyre ishte "kujtesa" që 8 aktivistë të Lëvizjes BASHKË të shkonin në polici për krimin e tmerrshëm të protestës paqësore përpara Kuvendit, ku hodhëm në ajër fotokopje kartmonedhash ndërsa kalonin deputetët.

Brenda pak orësh policë me uniformë ose civilë që pretendojnë se janë policë shkelin ligjin duke hyrë brenda selisë së një partie politike dhe duke u përpjekur t'u bëjnë presion aktivistëve.

Kjo estradë e shëmtuar duhet të marrë fund. Edi Rama duhet të ndalë së poshtëruari punonjësit e policisë duke i shtrënguar të bëjnë presion ndaj një partie politike opozitare.

Kujtojmë se protesta e sotme e Lëvizjes BASHKË ka qenë krejt e ligjshme dhe në përputhje me nenin 12 të ligjit për tubimet. Po jehona e saj në opinionin publik po lë pa gjumë qeverinë dhe gjithë Policinë e Shtetit. Nën një qeverisje kaq të korruptuar e absurde mund të presim gjithçka, edhe që të na vijnë në mesnatë në shtëpi për të na hedhur prangat.

Me këtë rast, duam të ritheksojmë se sot Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetët e të gjitha krahëve kanë vendosur t'i dyfishojnë rrogën vetes. Ndërkohë në Shqipërinë e sunduar prej tyre pensioni minimal mbetet 8000 lekë, pensioni mesatar është 15.000 lekë dhe asnjë institucion nuk do t'ia dijë për minimumin jetik.

Turp! Po ata e kanë humbur aftësinë për të ndjerë turpin.

arlind qori policia levizja bashke