
Po ç’do të bëhet me xhaminë? A do i dorëzohet ajo besimtarëve shqiptarë? Kjo është në fakt enigma e madhe!
Fushata elektorale në Turqi nuk ka qenë me tone të ashpra vetëm atje. Por ky tension duket se është zhvendosur edhe në vendet e Ballkanit, ku prej vitesh tashmë ka struktura të ngritura e të mbajtura nga Ankaraja, për të ushqyer të ashtuquajturin “neotomanizmi”.
Kjo fushatë ka pasur edhe në Shqipëri ndikimin e saj, ku njerëz që financohen direkt nga Turqia nëpërmjet OJF-ve e fondacioneve, janë mbrojtësit më të flaktë të Sulltanit të Ankarasë nëpër emisionet televizive.
Megjithatë, ky është një fenomen tashmë i njohur prej vitesh këtu, siç është i njohur se edhe partia në pushtet në vend, është trajnuar nga strukturat e partisë së Erdoganit për të arritur një depërtim kapilar në elektorat.
AKP-ja e Erdoganit është tashmë një makineri e frikshme zgjedhore e lidhjes me territorin, që u pa edhe në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ku edhe pse në situatë të vështirë e me një pushtet tashmë mbi 20 e ca vjeçar, u arrit të mobilizoheshin njerëzit që janë elektorat i palëvizshëm i krahut konservator turk. Një makineri që solli 2 milionë njerëz në Stamboll, në një miting të përmasave gjigande.
Ky tension që duket ka sjell një avancim të Erdoganit, kur të gjithë e shikonin të humbur në këto zgjedhje, është rritur shumë në Shqipëri.
Struktura të njohura në mbështetje të politikave erdoganiste në Tiranë, sidomos brenda komunitetit të besimtarëve muslimanë janë riaktivizuar fort. Ky riaktivizim ka pasur tensione të larta, që si gjithmonë kanë adresë ata që erdoganistët i quajnë gylenistë. E që sipas tyre po mbajnë kontrollin e Komunitetit Musliman Shqiptar e strukturat e tij.
E kjo është reflektuar në dy çështje që duken shumë shqetësuese për shëndetin e shoqërisë në vend.
Këta mbështetës të Erdoganit kanë sulmuar KMSH-në për menaxhimin e medreseve, pra shkollave që administron komuniteti musliman, ku përveç mësimit sipas kurrikulës së Ministrisë së Arsimit, atje mësohet edhe teologji fetare.
Njerëz të atashuar si kundërshtarë të KMSH-së, kanë akuzuar këta drejtues pasi sipas tyre kanë lejuar që vajzat maturante të medreseve janë paraqitur në polifoton zyrtare pa shami në kokë.
E këta erdoganistë japin shembuj se sipas tyre në medresetë që menaxhojnë gylenistët maturantet janë paraqitur në diplomim pa shami në kokë, ndërsa në medresetë që nuk i menaxhojnë gylenistët vajzat kanë shami.
Në fakt, të gjithë shkollat religjoze, janë nën menaxhimin e Komunitetit Musliman Shqiptar. i cili ja ka besuar organizatave jo fitimprurëse apo edhe fondacioneve të ndryshme financimin dhe kujdesin për këta shkolla. Pra si vajzat që janë me shami, por edhe ata pa shami, janë pjesë e menaxhimit të KMSH-së.
Pavarësisht shijeve të palëve që hiqen si radikale, qenia e një islami jo radikal, pra që lejon që vajzat e medreseve nuk mbajnë shami, sepse kështu e mendojnë, nuk përbën as mëkat e as risi. Pasi e tillë ka qenë situata edhe në vitet e para pas rrëzimit të komunizmit. Në të gjitha shkollat e vajzave që nga kolegjet turke e medresetë, është ndërtuar kjo traditë jo arabe ku mbulesa ka qenë standard. Pasi këta shkolla vepronin sipas ligjeve të një shteti laik si Shqipëria, e natyrisht traditave të isntitucioneve arsimore turke, ku para ardhjes së Erdoganit, nuk ka qenë e përhapur mbulesa. Madje edhe në vende arabe si Egjipti, Jordania, si dhe vendet e Magrebit, nuk ka qenë determinant përdorimi i mbulesës, e cila u shtua pas valës integraliste të epokës së pas luftrave të Gjirit Persik.
Gjithashtu, një tjetër aspekt i kësaj furie sulmesh po merr trajta të rënda antisemite.
Kështu, një nga akuzat që hidhen ndaj Komunitetit Musliman Shqiptar, është edhe trajtimi i klerikëve të lartë si njerëz të afërt me Izraelin. Një gjuhë totalisht pa lidhje me Shqipërinë, e që merr shkas nga qasjet më fanatike e ekstremiste të disa qarqeve arabe por edhe iraniane që e cilësojnë Izraelin si “armiku i madh”. E përveç klerikëve të KMSH-së sulmohet edhe Baba Mondi, kreu i Bektashinjve. E kjo jo më kot, pasi bektashinjtë janë shiitë, pra njësoj siç janë iranianët e ajatollahëve e sirianët e Al Asadit. Të cilët janë armiq të Izraelit më shumë se Arabia Saudite e vendet e tjera të Gjirit. Edhe pse sunitë, erdoganistët shqiptar, po provokojnë shitët iranianë për të bërë presion ndaj homologëve të tyre, kundër mikpritjes së Izraelit. E në këtë aspekt, ka kohë në në rrjete sociale të fanatikëve sulmohet ambasadorja aktuale e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg. E cila nga këto qarqe po akuzohet se është një ushtarake e forcave speciale të shtetit hebre. Gjë që nuk ka lidhje, ajo është një diplomate zyrtarisht e emëruar dhe e akredituar në Shqipëri. Mund të jetë një ushtarake, apo oficere në profesion, studiuese apo buroktate, aktualisht ajo është diplomate.
Sulmi ndaj saj, nuk ka sens, përveç qëllimit politik e propandistik. Gjë që tregon në radhë të parë një problem të madh që kanë erdoganistët fanatikë të Tiranës, pasi po shkelin një fondament të mikpritjes shqiptare, ku nuk pyetet një mysafir se çfarë është ai, por si sillet kundrejt shqiptarëve.
E në fakt ambasadorja izraelite, siç dhe parardhësit e saj, por këtë radhë me shumë peshë, pasi Izraeli së fundmi ka hapur rezidencën në kryeqytetin shqiptar, ka treguar respekt e kujdes për muslimanët shqiptarë. Ku gjatë Muajit të Ramazanit ka shtruar edhe një iftar zyrtar, gjë që e kanë bërë shumë seli diplomatike, për respekt ndaj besimit në shumicë të shqiptarëve. E pikërisht ky akt, duhet të kishte vetëm respekt e përshëndetje, e jo sulme. Por siç ndodh rëndom tek ne, politika përzihet në shtigje që lidhje nuk kanë me shqiptarët. E kjo realisht është një sjellje që hyn në rrugë antiligjore e antikushtetuese.
Ndërkaq, përveç këtyre proçkave të fanatikëve erdoganistë, një nga pengjet e mëdha të kësaj marrëdhënieje politike, është xhamija e madhe e Tiranës. E financuar nga Turqia, që i ka dhënë edhe frymën arkitektonike osmane pikërisht duke u mbështetur tek paratë që ajo ka dhënë. Edhe pse ka më shumë se 10 vjet që kanë nisur ndërtimet, ajo ende nuk është përuruar. E gjasat janë që kjo të mos ndodhë ende, pasi siç ka thënë Erdogan në Parlamentin shqiptar, ai do ta bëjë këtë kur të hiqen gylenistët nga KMSH. Këtë siç dihet e ka ndaluar edhe SHBA, e cila e konsideron një agresion absurd sulmin erdoganist.
Po ç’do të bëhet me xhaminë?
A do i dorëzohet ajo besimtarëve shqiptarë? Kjo është në fakt enigma e madhe!/Pamfleti