
Pas tre dekadash mister, hetimet për zhdukjen e gjyqtarit Adinolfi fokusohen te mafia dhe galeritë e lashta
Pas 31 vitesh mister, Italia mund të jetë shumë pranë zbulimit të një prej enigmave më të errëta të drejtësisë së saj: zhdukja pa gjurmë e gjyqtarit Paolo Adinolfi, e cila ndodhi në verën e vitit 1994 në Romë.
Ishte 2 korriku i atij viti, kur Adinolfi, atëherë 45 vjeç, doli nga shtëpia e tij në zonën e Farnesina-s, duke i thënë familjes se do të kthehej për drekë. Ai nuk u kthye më kurrë. Makina e tij u gjet më vonë e braktisur në Villaggio Olimpico, por vetë gjyqtari u zhduk pa lënë asnjë gjurmë.
Në atë kohë, Paolo Adinolfi sapo ishte emëruar në Gjykatën e Apelit të Romës, pasi më parë kishte shërbyer për shumë vite në sektorin e Falimentimeve të Gjykatës së Romës, një zyrë tepër delikate që merret me çështje biznesesh në krizë dhe shpesh ndërlidhet me interesa kriminale dhe ekonomike me ndikim të madh.
Sot, pas tre dekadash hetime të dështuara, pistash të harruara dhe arkivimesh pa përgjigje, autoritetet italiane kanë rifilluar kërkimet. Prej së enjtes në mëngjes, karabinierët, Guardia di Finanza, policia dhe arkeologët e Drejtorisë së Monumenteve kanë nisur gërmimet nën Casa del Jazz, një kompleks i njohur kulturor në Romë, ndërtuar mbi një pronë të sekuestruar dikur nga krimi i organizuar.

Hetuesit dyshojnë se nën tokë ndodhen galeri të lashta romake të paeksploruara, të cilat mund të jenë përdorur për të fshehur diçka, ndoshta edhe trupin e gjyqtarit të zhdukur. Qentë e njësive kërkimore po kontrollojnë çdo hapësirë, ndërsa punëtorët kanë filluar të hapin kalime në tokë në zonat e treguara nga hetuesit.
Vendimi për të hapur këtë hetim të ri erdhi pas një kërkese zyrtare nga ish-gjyqtari Guglielmo Muntoni, i cili beson se në këtë galeri të fshehur mund të ndodhet diçka e rëndësishme për rastin. “Nuk po kërkohet diçka specifike, por është e nevojshme të verifikohet çdo pistë që lidhet me pronat e sekuestruara nga Banda della Magliana”, deklaroi prefekti i Romës, Lamberto Giannini.
Familja e gjyqtarit, e cila ka pritur për dekada për një përgjigje, ndjek me ankth zhvillimet. “Mësova për këtë nismë sot në mëngjes. Në këtë moment mund të bëjmë vetëm një gjë, të presim. Shpresojmë që pas kaq vitesh të zbulohet e vërteta”, u shpreh avokati Lorenzo Adinolfi, djali i gjyqtarit të zhdukur, i cili shkoi menjëherë në vendin e gërmimeve.

Dyshimet mbi fatin e Paolo Adinolfit kanë qenë të shumta. Një prej pistave më të forta është ajo që lidh zhdukjen e tij me Banda della Magliana, organizata famëkeqe mafioze që kontrollonte Romën nga vitet ’70 deri në fillim të viteve ’90. Në periudhën kur Adinolfi punonte në çështjet e falimentimeve, ai kishte trajtuar dosje të ndjeshme si ajo e kompanisë Fiscom dhe më pas Ambra Assicurazioni, ku përfshiheshin figura me lidhje të njohura me botën e krimit, përfshirë Enrico Nicoletti, i konsideruar arkëtari financiar i Bandës.
Për vite me radhë është përfolur se gjyqtari mund të jetë eliminuar për shkak të njohurive që kishte mbi rrjetin ekonomik të Bandës dhe mund të jetë varrosur në një nga pronat e kontrolluara prej saj — pikërisht si ajo ku ndodhet sot Casa del Jazz.
Dëshmitë e mbledhura pas zhdukjes nuk dhanë kurrë një përgjigje përfundimtare. Një person pretendoi se e kishte parë gjyqtarin në një autobus, edhe pse ai kishte dalë me makinë; një tjetër tha se e kishte parë në zyrat gjyqësore të piazzale Clodio, në shoqërinë e një të riu të panjohur. Asnjë nga këto gjurmë nuk u verifikua plotësisht.

Banda della Magliana, e themeluar në vitin 1975 nga Franco Giuseppucci, Enrico De Pedis dhe Maurizio Abbatino, ishte organizata më e fuqishme mafioze në historinë moderne të Romës. Ajo kishte lidhje me mafian siciliane, Camorrën napolitane, si dhe me grupe të ekstremit të djathtë si NAR. Aktivitetet e saj përfshinin trafik droge, zhvatje, rrëmbime, vrasje me pagesë dhe pastrim parash. Edhe pse u shpërbë pas operacionit “Colosseo” të vitit 1993, ndikimi i saj në politikë, Kishë dhe shërbimet sekrete italiane mbetet ende objekt hetimesh e teorish konspirative.
Nëse gërmimet nën Casa del Jazz do të çojnë në ndonjë zbulim konkret, Italia mund të përballet me një të vërtetë të errët të historisë së saj – një lidhje e mundshme mes sistemit gjyqësor, mafias romane dhe strukturave të pushtetit, që për tri dekada kanë mbajtur të fshehtë fatin e një gjyqtari që ndoshta dinte më shumë sesa duhej. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje