TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Qershor 2025, 18:04

Lufta, e vetmja rrugë drejt një paqeje të drejtë në Ukrainë

Shkruar nga Richard Kemp

Lufta, e vetmja rrugë drejt një paqeje të drejtë në

Sjellja e arsyeshme nuk do të funksionojë kurrë me despotin e Kremlinit. Këtë e konfirmuan kërkesat e tij të fundit në bisedimet e Stambollit. Putini tregoi edhe një herë në Stamboll se nuk i ha “karotat”. Prandaj Trump duhet ta shtyjë tani drejt një marrëveshjeje të mirëfilltë, duke përdorur një “shkop” shumë të madh...

Asnjë njeri me një mendje normale, nuk e mendonte se Vladimir Putin do të ishte serioz në raundin e fundit të bisedimeve të paqes në Stamboll midis Rusisë dhe Ukrainës. Dhe në fakt kështu ndodhi. Kërkesat e tij, ishin frymëzuar drejtpërdrejt nga manuali i famshëm i strategjisë negociuese të Ministrit të Jashtëm të Bashkimit sovjetik Andrei Gromyko: kërko maksimumin, paraqit ultimatume dhe mos lëviz asnjë centimetër nga qëndrimi që ke.

Kushtet e Putinit për një zgjidhje përfundimtare të konfliktit me Ukrainën, nuk ndryshojnë aspak nga diktatet e tij të parashtruara nga fillimi i luftës, duke përfshirë njohjen ndërkombëtare të pushtimit nga Moska të 4 rajoneve që ai i konsideron tashmë një territor rus, së bashku me garancinë se Ukraina nuk do t’i bashkohet kurrë asnjë aleance ndërkombëtare.

Edhe kushtet e tij për një armëpushimi të përkohshëm, kërkojnë tërheqjen e forcave ukrainase nga të 4 rajonet e pretenduara, çmobilizimin e forcave të armatosura, ndërprerjen e ndihmës ushtarake ndërkombëtare si dhe zgjedhjen e një qeverie të re. Me fjalë të tjera: një kapitullim total, ku Ukraina duhet të heqë dorë nga sovraniteti i saj, të mbetet e ndarë, e izoluar, e çarmatosur, dhe me një qeveri kukull ruse në Kiev.

Sigurisht, kjo s’do të thotë se nuk duhet të vazhdojnë negociatat, me shpresën e arritjes së konsensusit me kushte më pak ndëshkuese. Qeveria ukrainase ka sinjalizuar tashmë, se është gati të pranojë pushtimin e përkohshëm të territorit që Rusia e kontrollon tashmë.
Por vështirë se Putin do të heqë dorë nga kërkesat e tij maksimaliste, pa ndryshime të rëndësishme në fushën e betejës apo në situatën ekonomike brenda Rusisë. Presidenti amerikan Trump provoi në fillim një qasje të butë me Putinin, duke e zgjeruar perspektivën e përfitimeve të mëdha ekonomike përmes një kthimi tek marrëdhëniet normale SHBA-Rusi. Në fakt, Putini nuk e ka besuar këtë skenar.

Edhe pse është përpjekur me dinakëri ta qetësojë Trumpin dhe inkurajojë atë të braktisë Ukrainën nëpërmjet angazhimit sa për sy e faqe në negociata. S’ka dyshim se Trump e kupton mirë këtë gjë. Ai u shpreh i zemëruar nga propozimi i fundit i Putinit, që Ukraina të vendoset nën një administrim ndërkombëtar dhe që zgjedhjet e reja të mbikëqyren nga OKB-ja.

Ndaj tani ka ardhur koha që SHBA-ja të provojë një qasje tjetër. Trump mund të thotë se bëri gjithçka që mundi për t’i dhënë fund gjakderdhjes në muajt e parë të presidencës së tij, por tani kokëfortësia e Putinit kërkon taktika të ndryshme. Cilat do të ishin ato?

Të vazhdohet angazhimi për bisedime, dhe në të njëjtën kohë të dyfishohet mbështetja ushtarake amerikane për Ukrainën. Po ashtu, të ushtrohet presion mbi aleatët evropianë që të bëjnë të njëjtën gjë. Për shkak të lidershipit të lëkundur të Joe Biden, shumica e vendeve të Evropës Perëndimore, por edhe vetë SHBA-ja bëri minimumin në këtë drejtim.

Kjo sjellje duhet të ndryshojë, dhe ne kemi parë tashmë se si dredhia Trumpiane, mund t'i detyrojë evropianët të rrisin shpenzimet e tyre në mbrojtje, si në mandatin e tij të parë, madje edhe më shumë në të dytin. Nga ana tjetër, ripërtëritja e angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s, do të ndihmonte  në inkurajimin e udhëheqësve evropianë.

Ajo do t’i dërgonte një mesazh të fuqishëm edhe Putinit, objektivi strategjik kryesor i të cilit është përçarja e Perëndimit. Ne duhet të heqim dorë nga ofrimi i ndihmës për Ukrainës, vetëm sa që ajo të mbrojë veten, por asnjëherë mjaftueshëm sa për të triumfuar.

Përpjekja e nevojshme për ta dëbuar ushtrinë ruse nga Ukraina, është ndoshta shumë ambicioze. Por qëllimi minimal, duhet të jetë garantimi i mjeteve për t’i shkaktuar edhe më shumë dëme forcave ruse, për ta detyruar Putinin të rishqyrtojë llogaritjet e tij aktuale, sipas së cilave ai mund ta shtypë Ukrainën dhe t’i mbijetojë masave ndëshkimore të Perëndimit.

Ndër kufizimet më të dëmshme që Biden i vendosi Ukrainës, ishte ndalimi i përdorimit të armëve të dërguara nga SHBA-ja për të sulmuar territorin sovran rus. Kjo ndodhi për shkak të frikës së tij nga përshkallëzimi i veprimeve të Rusisë, si kundër Ukrainës ashtu edhe kundër vendeve të NATO-s.

Ajo sjellje e butë, i dha mundësi Putinit të vazhdonte të mbronte popullsinë ruse nga konflikti, duke e mbajtur të kufizuar tek një “operacion ushtarak special”. Megjithatë, Kievi nuk qëndroi duarkryq. Ai nisi të sulmonte Rusinë me dronët e prodhuar vetë, dhe madje duke kryer pushtimin e parë të një pjese të territorit rus që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sulmi i fundit i jashtëzakonshëm me dron ndaj Rusisë, që shkatërroi një pjesë të madhe të forcës së saj ajrore strategjike, tregon se çfarë mund të bëhet ndryshe. Disa thonë se SHBA-ja dhe vendet evropiane duhet të distancohen nga akte të tilla, duke pasur frikë nga hakmarrja e Moskës.

Por, pavarësisht nga qëndrimi diplomatik që zgjedhin të mbajnë, ato duhet të bëjnë në prapaskenë të kundërtën, duke i dhënë Ukrainës atë që i nevojitet për të kryer sulme të mëtejshme për të dëmtuar ndjeshëm aftësinë ushtarake ruse, për ta kthyer luftën në shtëpi tek popullata ruse, si dhe për ta poshtëruar Putinin.

Trump duhet të fillojë t’i shkaktojë dëme të vërteta ekonomike Rusisë. Shumë gjëra mund të arrihen përmes veprimeve ushtarake më efektive, për të rritur shkallën e humbjes së armëve dhe pajisjeve nga ushtria ruse, duke e detyruar potencialisht Putinin që ta kalojë ekonominë në një gjendje të plotë lufte.

Sanksionet gjysmake ndaj Rusisë, nuk kanë qenë të mjaftueshme, dhe vendet evropiane i kanë paguar më shumë para Rusisë për hidrokarburet, sesa i kanë dhënë ndihmë Ukrainës. Ne duhet

të ndërmarrim masa më të ashpra kundër sektorit energjitik rus, duke e shkëputur më në fund Moskën nga sistemi bankar ndërkombëtar dhe duke shkatërruar flotën fantazmë të cisternave, që ka lejuar rritjen e të ardhurave nga nafta për Rusinë.

Një goditje e hidhur do t’i jepej edhe duke sekuestruar të gjitha asetet e ngrira ruse prej 330 miliardë dollarësh në vendet perëndimore, për të shlyer dëmet e shkaktuara nga lufta në Ukrainë, ose të paktën për ta planifikuar këtë hap në varësi të ecurisë së negociatave.

Putini tregoi edhe një herë në Stamboll se nuk i ha “karotat”. Prandaj Trump duhet ta shtyjë tani drejt një marrëveshjeje të mirëfilltë, duke përdorur një “shkop” shumë të madh./Pamfleti nga “Daily Telegraph”

lufta rruga drejt paqes ukraina

Lini një Përgjigje