Mes tensioneve të krijuara gjatë protestës para Kuvendit, aktivisti Dritan Goxhaj u bëri thirrje protestuesve të ndalnin sulmet ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.
Apeli i tij erdhi pasi një efektiv policie u godit në kokë me një gur të hedhur nga turma gjatë përplasjeve me forcat e rendit. Polici i lënduar mori ndihmën e parë mjekësore në vendngjarje.
“E kemi me Parlamentin! Jo me gurë Policisë së Shtetit!”, dëgjohet të thotë Goxhaj, duke u kërkuar protestuesve të mos ushtronin dhunë ndaj uniformave blu.
Edhe një protestuese iu bashkua thirrjes, duke u shprehur: “Jo me djemtë, jo me çunat, jo me policinë!”
Nga turma u dëgjuan gjithashtu thirrje si “Bashkohuni me ne” dhe “Policia është me ne”, ndërsa tensionet vijuan për disa minuta.
Përplasjet nisën pasi protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur përpara Kuvendit dhe u konfrontuan me forcat e policisë. Gjatë incidenteve u hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve, ku njëri prej tyre u godit në kokë dhe u dërgua për të marrë ndihmë mjekësore.
Lini një Përgjigje