TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Qershor 2026, 10:44

Çfarë e shkaktoi humbjen e kontrollit? Detaje të reja nga aksidenti në Ksamil ku humbi jetën i riu

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë e shkaktoi humbjen e kontrollit? Detaje të reja nga
Pamje nga aksidenti

Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik detar i ndodhur pasditen e djeshme në Gjirin e Ksamilit, ku humbi jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi.

Sipas "News 24", i riu ishte diagnostikuar me diabet që në moshën 15-vjeçare dhe prej dy vitesh trajtohej me insulinë. Mësohet se para se të hipte në mjetin lundrues, ai kishte marrë dozën e insulinës.

Burime mjekësore bëjnë me dije se ky faktor mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij fizike dhe në humbjen e kontrollit të mjetit, megjithatë shkaku i saktë i aksidentit mbetet objekt i hetimeve zyrtare.

Ndërkohë, videoja që dokumenton momentin e përplasjes së mjetit lundrues me skafin e Policisë Kufitare është regjistruar nga një velierë e huaj e ankoruar në Gjirin e Ksamilit dhe po analizohet nga grupi hetimor.

Për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes dhe rrethanat e ngjarjes, trupi i 22-vjeçarit është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës përkatëse.

Ngjarja ka tronditur komunitetin e Ksamilit, ndërsa familjarët dhe të afërmit janë përballur me humbjen e papritur të të riut, i cili ishte vëllai i vetëm mes dy motrave. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aksidentit të rëndë.

"Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.

Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes", thuhej në njoftimin e policisë.

1 Komente

  1. G
    Gezim

    Sipas informacionit te policise, mjeti patrullues ishte i stacionuar ose i qendruar, ndersa ne video dukeqarye qe po leviz ne menyre vertikale drejt bregut. Pavaresisht se mjeti i te ndjerit mudn te ishte me shpejtesi, mjeti patrullues nuk mund te levizte ne ate menyre, sepse mjetet qe qarkullojne duhet te jene paralele me vijen bregdetare, duke respektuar vijen e kuqe te hapesires se lejuar per pushuesit. Prandja, ndodhemi perpara nje shkelje te rende. Nuk ka asnje lidhje te qenesishme nese vuante apo jo nga diabeti i ndjeri, ne te kundert, nuk do te ishte ne gjendje te lundronte.

    Lini një Përgjigje