TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Qershor 2026, 10:52

Vrasja e 27-vjeçarit në Kamëz, gjendet e braktisur makina e Sadik Llanit

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e 27-vjeçarit në Kamëz, gjendet e braktisur makina e
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia e Tiranës vijon operacionin për kapjen e 39-vjeçarit Sadik Llani, autor i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Paskuqan.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, hetuesit kanë mundur të gjurmojnë itinerarin e lëvizjes së të dyshuarit drejt zonës së Liqenit të Bovillës. Bazuar në këto të dhëna, forcat speciale RENEA kanë zhvilluar mbrëmjen e djeshme kontrolle intensive në rreth 15 objekte, por pa arritur të lokalizojnë 39-vjeçarin.

Paralelisht me kontrollet në zonën e Liqenit të Bovillës, efektivët kanë ushtruar kontrolle edhe në zonat malore të Krujës, ndërsa operacioni për kapjen e tij vijon edhe gjatë ditës së sotme.

Gjatë kërkimeve, policia ka gjetur të braktisur pranë Liqenit të Bovillës automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori. Sipas burimeve hetimore, brenda mjetit nuk janë gjetur sende të kundërligjshme apo prova që mund të ndihmojnë në lokalizimin e tij.

Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, policia ka marrë në pyetje tetë persona. Megjithatë, për shkak të sekretit hetimor, grupi hetimor nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me dëshmitë e tyre apo pistat që po verifikohen.

Autoritetet vijojnë kërkimet intensive për arrestimin e 39-vjeçarit, ndërsa hetimet për motivet dhe rrethanat e krimit mbeten në zhvillim.

Lini një Përgjigje