Ekonomi29 Shtator 2023, 22:53

Bumi turistik dështon të sjellë bum ekonomik

Shkruar nga Pamfleti

Bumi turistik dështon të sjellë bum ekonomik

Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri u rrit me 3.23% në terma realë, në tremujorin e dytë të këtij viti ndërsa deklaratat e qeverisë për bum turistik me rritje mbi 50% në numrin e turistëve apo në numrin e netëqëndrimeve duket se nuk përputhet me rritjen ekonomike reale as të turizmit dhe as të ekonomisë në tërësi. Rritja ekonomike prej 3.23% në tremujorin e dytë 2023 pason rritjen 2.72% në tremujorin e parë. Të dyja shifrat janë më të larta se sa parashikimi për rritjen ekonomike vjetore të Shqipërisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por ndjeshëm më të ulëta se sa potenciali i zhvillimit. Sipas FMN-së, shqiptare pritet të rritet këtë vit me 2.25% ndërsa potenciali i rritjes së Shqipërisë vlerësohet në 4.5%. Ekonomia shqiptare është rritur nën potencial tashmë prej më shumë se një dekade. Korrupsioni, keqqeverisja dhe mungesa e atyre që në gjuhën e FMN-së njihen si “reforma strukturore” besohet se janë shkaku i rritjes më të paktë se sa potenciali zhvillimor. Potenciali i rritjes llogaritet duke marrë parasysh faktorë të shumtë, përfshirë nivelin e ulët ekonomik, burimet natyrore, fuqinë punëtore të disponueshme e të tjera.

Bumi turistik dështon të sjellë bum ekonomik

Dega “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera”, ku përfshihen shërbimet turistike, u rrit me 12% në tremujorin e dytë, pasi ishte rritur me 32% në tremujorin e parë. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ishte 33% më i lartë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë ndërsa numri i netëve turistike të kaluara nga shtetas të huaj gjatë kësaj periudhe ishte me rritje 51%.

Ndonëse rritja në sektorin e turizmit është e lartë, efekti i tij në ekonominë e përgjithshme të vendit është i papërfillshëm. Sipas INSTAT, rritja e sektorit “Arte, argëtim dhe çlodhje” me 12% ka kontribuuar në tremujorin e dytë me vetëm 0.26% të rritjes totale prej 3.23%. Në fakt, sektorët që kanë ndikuar më shumë janë Ndërtimi dhe Aktivitete të pasurisë së patundëshme. Sipas llogaritjeve të INSTAT, nga rritja ekonomike prej 3.23%, këto dy sektorë kanë sjellë 2.15%. Më një fjalë, 66% e të gjithë rritjes ekonomike të vendit është shkaktuar nga ekonomia e betonit, ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm për mirëqenien reale të popullsisë, të tilla si bujqësia dhe manifaktura, janë në fakt në rënie.

Sektori i bujqësisë pësoi një rënie të vogël në krahasim me një vit më parë. Ekonomia e këtij sektori  ku punësohen zyrtarisht 40% e forcës së punës, ra me 0.04% në krahasim me një vit më parë. Sektori tjetër i goditur është manifaktura, e cila punëson dhjetëramijëra qytetarë dhe që në tremujorin e dytë pati rënie me 6% në krahasim me një vit më parë. Manifaktura duket se është goditur në veçanti nga forcimi i lekut përballë euros, gjë që gjerësisht besohet se është pasojë e parave me origjinë të dyshimtë të investuara në ndërtim dhe prona të patundshme. /BIRN