Ekonomi 2 Nëntor 2023, 11:16

Buxheti i ri: Më 2024-ën do merren borxh 1.1 miliardë Euro për të... shlyer borxhet

Shkruar nga Pamfleti
Buxheti i ri: Më 2024-ën do merren borxh 1.1 miliardë Euro
EuroBond /

Qeveria është detyruar të kërkojë borxhe të mëdha e me interesa të larta, sepse burimet e brendshme financiare nuk i përballojnë dot likuiditetet; madje i dështoi dhe skema e marrjes së 600 milionë Euro borxh nëpërmjet shitjes së bonove e obligacioneve me 5-6% interes...

Deputetët e PS në Komisionin Parlamentar të Ekonomi-Financave, filluan mbledhjen për projekt-buxhetin e vitit 2024, duke vendosur mbi tavolinë një tepsi me bakllava, dhe me deklaratën se “ky buxhet do jetë lule për mirëqenien e popullit dhe zhvillimin e vendit”.

Por prapa tepsisë së bakllavasë dhe fasadës së buxhetit “lule”, qeveria po mban të fshehtë skemën e marrjes së një borxhi tjetër që do marrë në vitin 2024, të cilin nuk do ta deklarojë gjatë diskutimit, por do ta shpallë pas miratimit të tij e do ta ekzekutojë me amendime buxheti.

Informacioni që  ka siguruar “Pamfleti” nga drejtoria e hartimit buxhetor të Ministrisë së Financave, bënë me dije se gjatë vitit 2024, qeveria ka planifikuar të marrë 2 borxhe në formë Euro-bondi, me vlerë totale 1.1 miliardë Euro nga tregjet e huaja private në bursën financiare.

Borxhin e parë, me vlerë 500 milionë Euro, qeveria shqiptare do ta kërkojë në fund të muajit janar 2024, me interes deri 7-8% dhe afat kohor shlyerje 15 vite.

Kjo sipas ekspertëve të buxhetit në ministrinë e Financave, është emergjente për fuqinë paguese buxhetore të vitit 2024. Përgatitjet e fshehta për ta siguruar, kanë nisur në fillim të tetorit 2023, duke aktivizuar agjentët financiar që kanë siguruar dhe Euro-bondet gjatë viteve 2015-2022.

Borxhin e dytë, me vlerë 600 milionë Euro, qeveria do ta kërkojë në muajin korrik 2024 dhe do pranohet  me interesa 7-8% e me afat kohor shlyerje 20 vite; dhe  procedurat për kërkimin e tij, do fillojnë qysh në shkurt 2024, nga frika se mund të mos e gjejnë dot, mbasi gjatë vitit 2024, tregjet e huaja financiare do jenë më të kufizuara për shkak të krizës globale.

Të dy borxhet me vlerë totale 1.1 miliardë Euro, do përdoren për financimin i PPP-ve ekzistuese jo prodhuese e zhvatëse të buxhetit, si “Check-up”, Laboratorët Mjekësor; matësit  e pompave të naftës, por edhe për 5 koncesionet e reja që do jap qeveria gjatë vitit 2024.

Po kështu, Euro-bondet do përdoren për të financuar administratat e qeverisjes qendrore e vendore, ujësjellësit e falimentuar dhe për të shlyer një pjesë të borxheve që bashkitë kanë ndaj bankave shqiptare, enteve e agjencive të huaja, të marra për financim projektesh lokale.

Marrja e këtyre 2 borxheve, u deklarua nga Ministri i Financave, Ervin Mete në parlament, por siç duket nxori sekretin e Bablokut, prandaj nuk e ka përmendur në projekt-buxhetin e vitit 2024, megjithëse do jenë zëri kryesor i financimit neto, për menaxhim borxhesh e likuiditetesh.

Sipas të dhënave, Eurobondi i parë nga kjo qeveri është marrë më 12 nëntor 2015 me vlerë 450 milionë Euro e interes 5.8%. Në vitet 2018-2023, janë marrë 5 Eurobonde me vlerë totale 2.3 miliardë Euro e interes nga 6% deri në 10.5%.

Ndërsa gjatë vitit 2024, do merren edhe 1.1 miliardë Euro borxhe afat shlyerje 10  e 20 vite dhe interesa 7-8%; për shkak se me burimet e brendshme, qeveria nuk i përballon dot likuiditetet; madje Bablokut, Delian Ibrahimajt e guvernatorit Gent Sejko, u dështoi dhe skema e marrjes së 600 milionë Euro borxh, nëpërmjet shitjes së boneve e obligacioneve me 5-6% interes./Pamfleti

eurobonde 1.1 miliardë euro buxheti borxhe