Gazetari Shpend Gashi u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin çdo provokim gjatë protestës mbarëkombëtare para Kryeministrisë, duke theksuar se forca e tubimit qëndron te bashkimi dhe jo te përplasja.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve, Gashi deklaroi se shqiptarët janë mbledhur në shesh përmes dashurisë për njëri-tjetrin, pavarësisht se, sipas tij, janë larguar nga vendi për shkak të urrejtjes dhe politikave të qeverisë.
"Zemra mal kur ju shoh të gjithëve këtu. Ky zotëria që është kryeministër na ka larguar me urrejtje dhe ne jemi mbledhur me dashuri nga njëri-tjetri. Fuqia jonë më e madhe është dashuria. Mos bini pre e provokimeve," u shpreh ai.
Gazetari e cilësoi mobilizimin qytetar si një investim të madh të shqiptarëve, duke u bërë apel pjesëmarrësve që të ruajnë qetësinë gjatë zhvillimit të protestës.
"Gjithë kjo gjë e madhe është investimi i të gjithë jetës sonë. Kërkesa ime është, ju lutem, largohuni nga provokimi dhe lironi çunat," tha Gashi, duke iu referuar protestuesve të arrestuar gjatë tubimeve të fundit.
Protesta e 35-të para Kryeministrisë ka mbledhur qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, të cilët kërkojnë ndryshime politike dhe kanë bërë thirrje për lirimin e personave të arrestuar gjatë protestave të mëparshme.
Lini një Përgjigje