Mariela Berisha, ish-bashkëjetuesja e Jetmir Pepës, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku është thirrur për t'u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që lidhen me grupin e strukturuar kriminal për të cilin po heton SPAK.
Paraqitja e saj vjen ndërsa hetuesit po mbledhin dëshmi dhe informacione nga persona që mund të kenë dijeni për aktivitetin e grupit. Ndërkohë, Jetmir Pepa vijon të jetë në arrati.
Në muajin prill, SPAK zhvilloi një operacion të gjerë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, ku u lëshuan 11 masa sigurie. Megjithatë, vetëm tre prej tyre u ekzekutuan, ndërsa disa nga personat e kërkuar, mes tyre edhe Pepa, nuk u lokalizuan.
Sipas dosjes hetimore, Jetmir Pepa dyshohet se ka drejtuar një organizatë kriminale aktive gjatë viteve 2019-2021, e përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës, kryesisht Holandës. Prokuroria ka dokumentuar tetë episode të trafikut të drogës, ndërsa grupi dyshohet se vetëm gjatë vitit 2020 futi ose tentoi të fuste në tregun evropian rreth 7.5 tonë kokainë.
Emri i Mariela Berishës u bë i njohur për publikun pas ngjarjes së ndodhur në gusht të vitit 2024, kur blogerja Klea Prenga u dhunua në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Sipas hetimeve, Prenga u godit me sende të forta dhe shishe qelqi, duke pësuar dëmtime në fytyrë. Autoritetet akuzuan për ngjarjen Mariela dhe Antonela Berishën, të cilat më pas u vetëdorëzuan në polici.
Gjykata e Tiranës vendosi fillimisht masën e sigurisë "arrest në shtëpi" për Mariela Berishën nën akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, ndërsa për Antonela Berishën masën "detyrim paraqitje".
Gjykata e Tiranës dënoi me 3 vite burg Mariela Berishën, vendim i cili zbriti në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa për Antonela Berishën u caktua 3 vite shërbim prove, masë që zbriti në 2 vite nga gjykimi i shkurtuar.
Mariela dhe Antonela Berishaj fillimisht u shpallën në kërkim, më pas u vetëdorëzuan në polici dy muaj pas ngjarjes.
Konflikti me Klea Prengën mori vëmendje të madhe mediatike për shkak të dyshimeve se shkak ishte bërë raporti i pretenduar i blogeres me Jetmir Pepën. Ky i fundit ka një fëmijë me Mariela Berishën dhe emri i tij u përmend vazhdimisht gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor të çështjes.
Pepa rezulton gjithashtu në kërkim nga Policia e Tiranës që prej janarit 2025, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri gjatë një koncerti festiv të organizuar në Parkun Olimpik në natën e ndërrimit të viteve.
Grupi që transportoi 7 ton kokainë
Në fillim të vitit 2020, ndërsa pandemia sapo kishte nisur të ndryshonte ritmin e botës, një tjetër rrjet, shumë më i padukshëm dhe më i organizuar po funksiononte paralelisht në korridoret tregtare mes Amerikës Latine dhe Evropës. Nuk ishte një operacion i vetëm, por një zinxhir i mirëstrukturuar trafiku, ku kontejnerët e zakonshëm të mallrave shërbenin si mbulesë për tonelata kokaine.
Gjatë muajve janar–mars 2020, sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike nisën të qarkullojnë drejt tregut evropian. Sinjali i parë konkret për autoritetet erdhi më 21 mars, kur në Amsterdam u sekuestruan 8.5 kilogramë kokainë. Në pamje të parë, ishte një sasi relativisht e vogël, por hetimet treguan se ajo ishte vetëm një fragment i një rrjeti shumë më të gjerë.
Vetëm pak javë më vonë, më 7 dhe 8 prill, në Portin e Roterdamit u zbulua një nga ngarkesat më të mëdha të asaj periudhe. Një anije kolumbiane kishte transportuar nga Peruja një kontejner frigoriferik me lëngje frutash të ngrira. Brenda tij, të fshehura me kujdes, ndodheshin 1,018 kilogramë kokainë. Vlera e kësaj sasie në tregun e zi i kalonte 1.3 milionë euro, duke treguar shkallën e organizimit dhe fitimit të rrjetit.
Fluksi nuk u ndal. Më 6 qershor 2020, një tjetër ngarkesë mbërriti në të njëjtin port, këtë herë nga Guayaquil. Në dokumente figuronte si mall i destinuar për një kompani në Hungari, por në realitet përmbante rreth 2020 kilogramë kokainë. Hetimet zbuluan se një pjesë e kësaj sasie i përkiste të njëjtit grup kriminal, duke konfirmuar ekzistencën e një korridori të qëndrueshëm trafiku.
Megjithatë, jo çdo operacion rezultoi i suksesshëm për rrjetin. Më 26 qershor, në terminalin Muelle Sur, DP ëorld Callao në Peru, autoritetet ndërhynë dhe sekuestruan 516 kilogramë kokainë që ishte nisur drejt Holandës. Ishte një nga rastet e pakta kur ngarkesa u ndal që në origjinë.
Vetëm katër ditë më pas, më 30 qershor, një tjetër kontejner u bllokua në Roterdam. Ai vinte nga Kolumbia dhe në dokumente përmbante konserva me peshk ton, të destinuara për një kompani në Gjermani. Në të vërtetë, brenda tij u gjetën 500 kilogramë kokainë, të fshehura mes mallrave ushqimore.
Muaji gusht shënoi një tjetër fazë të rëndësishme të aktivitetit të rrjetit. Më 7 gusht 2020, autoritetet holandeze ndërhynë në autostradën A2 pranë Abcoude, ku sekuestruan 104 kilogramë kokainë. Por kjo ishte vetëm një pjesë e një operacioni shumë më të madh, i cili llogaritej të përfshinte rreth 1600 kilogramë në total.
Vetëm pak ditë më vonë, më 16 gusht, u zbulua një tjetër ngarkesë e madhe. Një kontejner me banane nga Ekuadori, që kishte kaluar përmes Antëerp përpara se të mbërrinte në Roterdam, përmbante rreth 1100 pako me një peshë totale prej 1238.39 kilogramësh kokainë. Ngarkesa ishte e destinuar për një kompani në Hagë, duke treguar se rrjeti përdorte kompani të ndryshme evropiane si mbulesë për shpërndarjen.
Seria e goditjeve vazhdoi edhe në vjeshtë. Më 1 dhe 2 tetor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 531 kilogramë kokainë në Portin e Roterdamit. Këtë herë, lënda narkotike ishte fshehur në një kontejner me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.
Të gjitha episodet e zbuluara i tregonin hetuesve një model të qartë veprimi: përdorimin sistematik të kontejnerëve tregtarë, maskimin e drogës në produkte ushqimore dhe krijimin e një zinxhiri logjistik që shtrihej nga portet e Amerikës Latine deri në zemër të Evropës. Sasitë e trafikuara arrinin në tonelata, ndërsa rrjeti shfaqte fleksibilitet të lartë, duke ndryshuar metoda dhe rrugë për të shmangur kontrollet.
Në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Posaçme thotë se kemi të bëjmë me një “grup i strukturuar kriminal që ka operuar në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha”.
Përveç masave të arrestit, Prokuroria njoftoi edhe sekuestrimin e 232 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që kapin vlerën e 12 milionë eurove. Sekuestrimet përfshijnë biznese në Tiranë, Lezhë dhe qytetet e tjera të vendit, sipërfaqe toke, hotele, poste parkimi dhe apartamente, si dhe 89 makina të llojeve të ndryshme dhe llogari bankare, që i përkisnin shtetasve nën hetim ose personave të lidhur me ta.
Kompanitë e sekuestruara rezultojnë të jenë në emër të familjarëve të Jetmir Pepës dhe sipas të dhënave nga Open Data bëhet fjalë për kompani aktiviteti i të cilave është ndërtimi i pallateve apo hidrocentraleve, real estate dhe hotelieria.
Lini një Përgjigje