TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-02-22 18:42:00

Mbetjet pushtojnë Liqenin e Kukësit pas reshjeve, ekspertët: Situatë alarmante!

Shkruar nga Pamfleti

Mbetjet pushtojnë Liqenin e Kukësit pas reshjeve, ekspertët:

Liqeni i Kukësit vijon të përballet me ndotje masive, pasi pas çdo reshjeje dhe rritjeje të prurjeve në lumenjtë që e furnizojnë, në sipërfaqen e tij përfundojnë tonelata mbetjesh. Pamjet e fundit tregojnë një situatë të rënduar mjedisore, që sipas ekspertëve përbën një problem serioz jo vetëm për zonën, por për të gjithë vendin.

Inxhinieri i mjedisit dhe drejtori ekzekutiv i organizatës RESU, Oljam Dervishi, e cilëson gjendjen alarmante, duke theksuar se fenomeni nuk është i izoluar në Kukës.

“Një pjesë e madhe e lumenjve tanë janë të ndotur po njësoj. Ne kemi punuar me lumenjtë në pjesën qendrore, në basenin e Ishmit, Matit, Bunës dhe Drinit. Kjo është si një ‘hinkë’ për mbetjet që më pas shkarkojnë në det”, u shpreh Dervishi për "RTSH".

Sipas tij, ndotja e vazhdueshme ka ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis dhe në shëndetin e qytetarëve, ndërsa pamjet e krijuara dëmtojnë edhe imazhin e vendit, sidomos për vizitorët që përballen për herë të parë me këtë realitet.

“Mjafton të kalosh dhe të shohësh këtë gjendje, është alarmante”, tha ai.

Dervishi thekson se situata lidhet ngushtë edhe me mungesën e ndërgjegjësimit qytetar.

“Vjen nga mungesa e ndërgjegjes kolektive dhe gjithsecilit prej nesh. Nëse unë hedh mbeturinat në lum, mendoj se nuk është më problemi im”, shtoi eksperti.

Ndërkohë, Bashkia e Kukësit është angazhuar prej disa ditësh në pastrimin e sipërfaqes dhe vijës liqenore. Megjithatë, fenomeni përsëritet dy deri në tre herë në vit, kryesisht pas reshjeve intensive, duke e kthyer ndotjen në një problem ciklik që kërkon zgjidhje afatgjata.

Lini një Përgjigje