TAGS-AT E JAVËS

Politike2025-03-15 19:03:00

PD në protestë, mbyllja e TikTok 'zbret' në shesh Berishën dhe mbështetësit e tij

Shkruar nga Pamfleti

PD në protestë, mbyllja e TikTok 'zbret' në shesh

“Rinia kundër censurës” është motoja e protestës...

Partia Demokratike po proteston pasditen e sotme në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë lidhur me mbylljen e TikTok.

Qytetarët janë thirrur nga kreu demokrat dhe parti të tjera opozitare për të protestuar lidhur me vendimin për mbylljen e rrjetit social, që konsiderohet si një vendim që censuron shqiptarët dhe që ka lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Rinia kundër censurës” është motoja e protestës, ndërkohë që në një nga pankartat shkruhet "E çove edhe TikTok në emigrimin" apo "E vrave TikTok".

Kreu i PD-së, Sali Berisha, në dallim nga protestat e mëparshme kur startonte nga selia e Partisë Demokratike për t’u bashkuar me protestuesit, këtë rradhë do të niset nga banesa e tij për t’iu bashkuar më pas të rinjve, të cilët kanë filluar të grumbullohen.

Protesta do të udhëhiqet nga të rinjtë e FRPD-së dhe kjo është protesta e parë që nga momenti që PD ka ndërprerë atë që e konsideroi si ‘mosbindja civile’, që për disa muaj përmblodhi disa lloje protestash që më shumë shkaktonin kaos në rrugët e Tiranës, sesa kishin qëllim rrëzimin e Qeverisë, sikundër shpreheshin drejtuesit demokratë.

Protesta do të zgjasë deri në orën 21:00 dhe parashikohet që të ketë folës kryesisht nga rradhët e FRPD-së.

Protesta ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 800 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje.

Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe 5 autobote me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.

Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.

Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Kryepolici Ilir Proda ka zhvilluar mbledhje dje me vartësit e tij lidhur me mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë nga policia gjatë protestës. Kryepolici dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës. Bëhet me dije se Proda u ka kërkuar vartësve që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe mos të krijohen përplasje të provokuara.

Rrugët e bllokuara

-Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje