TAGS-AT E JAVËS

Sport2026-05-28 20:00:00

SHBA-Meksikë-Kanada dalin me masa të përbashkëta për virusin Ebola, vendet organizatore të Botërorit kufizime për udhëtarët afrikanë

Shkruar nga Pamfleti
SHBA-Meksikë-Kanada dalin me masa të përbashkëta për
shba-meksikë-kanada, kupa e botës

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika kanë njoftuar vendosjen e një sërë kufizimesh udhëtimi për personat që vijnë nga zonat afrikane të prekura nga epidemia e Ebolës, në kuadër të masave parandaluese gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.

Në një deklaratë të përbashkët, tre vendet theksuan se “shëndeti dhe siguria e çdo personi mbetet përparësia jonë kryesore, ndërsa mirëpresim vizitorët në Amerikën e Veriut”, pa dhënë më shumë detaje mbi masat konkrete.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi më 17 maj se shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos paraqet rrezik për përhapje në vendet fqinje. Për këtë arsye, disa shtete kanë ndërmarrë masa shtesë për të kufizuar rrezikun e transmetimit të virusit.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara ndaluan hyrjen për qytetarët jo-amerikanë që kishin udhëtuar së fundmi në Republikën Demokratike të Kongos, Ugandë ose Sudanin e Jugut. Më pas, të premten, kufizimet u zgjeruan edhe për mbajtësit e kartës së gjelbër që kanë qëndruar në këto vende gjatë 21 ditëve të fundit.

Edhe Kanadaja ka vendosur ndalimin e hyrjes për 90 ditë për personat që banojnë në tre vendet afrikane të prekura nga epidemia, duke nisur nga dita e mërkurë. Autoritetet kanadeze kanë bërë të ditur se qytetarët dhe rezidentët e përhershëm që kanë udhëtuar në këto vende, por nuk shfaqin simptoma, do t’i nënshtrohen një karantine 21-ditore duke filluar nga 30 marsi.

Ndërkohë, Meksika po aplikon gjithashtu një periudhë karantine 21-ditore për udhëtarët që mbërrijnë me avion nga zonat e prekura. Autoritetet meksikane kanë shtuar kontrollet në aeroporte dhe u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt Republikës Demokratike të Kongos.

Afrika CDC: Vaksina pritet të jetë gati brenda vitit

Kreu i agjencisë shëndetësore të Bashkimit Afrikan (Africa CDC) deklaroi se një vaksinë kundër variantit Budibugio të virusit Ebola, i cili po shkakton epideminë në Republikën Demokratike të Kongos, pritet të jetë e disponueshme brenda këtij viti.

Për shkak të mungesës aktuale të vaksinës dhe trajtimit specifik për këtë variant të virusit, masat parandaluese janë fokusuar kryesisht te respektimi i protokolleve shëndetësore dhe identifikimi i shpejtë i rasteve të dyshuara.

Ajo për të cilën jemi të sigurt është se deri në fund të vitit, Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të sigurojnë vaksina dhe trajtim për variantin Budibugio”, deklaroi drejtuesja e institucionit, Zhan Kasej, gjatë një komunikimi online me gazetarët.

virusi ebola meksika kanadaja shba kupa e botës

Lini një Përgjigje