Rei Zekaj mbyll sezonin si golashënuesi më i mirë i kampionatit U-18 me 29 gola dhe ëndërron një ditë Kombëtaren…
Partizani duket se ka zbuluar një tjetër talent që premton shumë për të ardhmen e futbollit shqiptar. Emri i tij është Rei Zekaj, sulmuesi i ekipit U-18 të të kuqve, i cili këtë sezon ka shpërthyer me paraqitje fantastike, gola vendimtarë dhe një instinkt të rrallë para portës.

Vetëm në sezonin 2025-2026, Zekaj realizoi 29 gola, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit të 18-vjeçarëve dhe duke konfirmuar se është një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar.
Por shifrat tregojnë vetëm një pjesë të historisë së tij. Në fushë, Rei Zekaj nuk është thjesht një sulmues që dërgon topin në rrjetë. Ai është lideri i ekipit, kapiteni që mori përgjegjësi në momentet më të vështira, lojtari që udhëhoqi “demat” drejt objektivave të sezonit dhe që me karakterin, shpirtin e garës dhe sakrificën fitoi respektin e shokëve të skuadrës dhe tifozëve.
I dalë nga Kopliku, Rei po ndërton hap pas hapi ëndrrën e madhe. Në çdo ndeshje ai tregoi uri për sukses, qetësi para portës dhe cilësi që rrallë shihen në këtë moshë.

Trajnerë dhe njerëz pranë klubit flasin për një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm, i cili nuk spikat vetëm për golat, por edhe për inteligjencën në lojë, lëvizjet pa top dhe aftësinë për të marrë skuadrën mbi supe.
Sezoni i tij ka tërhequr jo pak vëmendje dhe shumëkush te Partizani beson se ky është vetëm fillimi i një rruge të madhe për sulmuesin e ri.

Emra si Armando Broja, Mario Mitaj, Elseid Hysaj apo Marash Kumbulla kanë treguar se talentet shqiptare mund të shkëlqejnë në futbollin europian dhe tani shumë sy janë kthyer edhe nga Rei Zekaj, djali që po bën të ëndërrojë jo vetëm Partizanin, por edhe futbollin shqiptar.
View this post on Instagram
Me vetëm 18 vite mbi supe, ai ka fituar tashmë një status të veçantë te të kuqtë. Dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, emri i tij mund të jetë shumë shpejt pjesë e skuadrës së parë të Partizanit, por edhe një kandidat i fortë për fanellën kuqezi.

Për momentin, Rei Zekaj po shijon sezonin më të bukur të karrierës së tij të re. Një sezon që mund të jetë vetëm kapitulli i parë i historisë së një futbollisti që premton të dëgjohet gjatë në arenat shqiptare dhe më gjerë./Pamfleti
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje