
11 anëtarët e bandës së Laert Haxhisë u lanë në burg nga Gjykata e Elbasanit. Pjesëtarët e bandës së tij dolën sot nën masa të rrepta sigurie para Gjykatës së Elbasanit.
Ata ranë në pranga pas rrëfimeve të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ishte edhe vetë i pranishëm në seancën e sotme bashkë me të dashurën e Laert Haxhiut, Klea Gjata. Avokati i kësaj të fundit ka thënë se nuk mund të verifikohen dëshmitë e të penduarit për tre ditë.
"Ka një mungesë motivacioni të prokurorisë në veprimet hetimore të saj. Nuk ndodh që për 3 ditë të ketë verifikim dhe konfirmim deklaratash të një të penduari. Organi i akuzës ka përdorur metoda ekstra ligjore, për interesa te caktuara”, u shpreh avokati i Klea Gjatës, Detar Hysi.
Të arrestuarit që dolën sot para gjykatës janë:
1-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç (i penduari i drejtësisë)
2-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç
3-Ligor Romacka, 31 vjeç
4-Erisiano Abedini, 32 vjeç
5-Bledar Berberi, 34 vjeç
6-Maringlen Topuzi, 37 vjeç
7-Bujar Abedini, 49 vjeç
8-Enriko Xhahysa, 23 vjeç
9-Klea Gjata, 27 vjeçe,
10-Idriz Manej, 68 vjeç
11-Fatjon Veliu, 36 vjeç
Sa i përket Laert Haxhiut, ai ndodhet i burgosur në Greqi. I konsideruar si person i shumëkërkuar nga policia shqiptare, ai u kap në Janinë në Maj të këtij viti.
Haxhiu po lëvizte me një makinë BMW, kur u arrestua nga autoritetet atje, së bashku me dy shqiptarët e tjerë. Por përpara se të viheshin në pranga, ata tentuan t’i iknin policisë greke. Gjatë kësaj kohe përplasën të paktën 3 makina të tjera e më pas përfunduan duke goditur edhe një bordurë. Krahas arrestimit, policia u gjeti 3 shqiptarëve dhe 1400 Euro.
Laert Haxhiu ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjes me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona. Ngjarje kjo që si zanafillë ka hakmarrjet që lidhen me konfliktet e vjetra të bandës së Lushnjes. Sakaq Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.