Kronike 1 Tetor 2023, 13:19

Vrasja e Klodiana Vefës në Itali, flasin fëmijët: I thashë babait se dashuria nuk është me detyrim, kishin debate të shpeshta

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e Klodiana Vefës në Itali, flasin fëmijët: I

"Dashuria nuk është diçka me detyrim: Mund ta duash një person, por duhet të pranosh faktin që ai nuk të do”.

Sipas mediave italiane, këto janë fjalët e vajzës së 44-vjeçarit shqiptar Alfred Vefa, i cili tri ditë më parë vrau me plumb në kokë bashkëshorten Klodiana Vefa për xhelozi. Mediat italiane kanë publikuar pjesë nga deklarimet e fëmijëve të çiftit, që tregojnë se vrasja e 37-vjeçares shqiptare ka ndodhur pas gjashtë viteve me debate e konflikte te vazhdueshme.

Shkak ishte fakti se ajo nuk e donte emigrantin shqiptar me të cilin kishte dy fëmijë. Dy vjet më parë ata ishin divorcuar në Shqipëri, por vendimi për shkak të problemeve burokratike nuk ishte regjistruar në Itali. Hetuesit i pyetën fëmijët nëse kanë parë akte dhune mes çiftit, por ata mohuan. Megjithatë, vajza tregoi një rast kur në debat e sipër me ish-bashkëshorten, Alfred Vefa goditi derën e dhomës së gjumit.

Pikërisht në këtë moment, ajo kishte biseduar me të në përpjekje për ta qetësuar, por pas bisedës me pjekuri të vajzës, gjimnaziste në Empoli, ai e kaloi situatën në heshtje, nuk kishte dhënë asnjë përgjigje, dhe iu rikthye sërish historisë. "Ti do të jesh gjithmonë i imja", përsëriste Alfred Vefa sa herë që Klodiana përpiqej ta mbante larg.

Duke cituar dëshmitë e dy fëmijëve, djalit 17 vjeç dhe vajzës 14 vjeçe, mediat italiane shkruajnë se “ka pasur debate të vazhdueshme mes prindërve dhe nëna u tha se qëndronte aty për fëmijët dhe se nuk kishte para, por u premtoi se së shpejti do të blinte një shtëpi shumë të madhe ku do të shkonim të jetonim me të”.

Sipas dëshmive, debatet nisën kur 37-vjeçarja i tha Alfred Vefës se nuk dëshironte të ishte më me të, ndërkohë që po jetonte në shtëpinë e blerë nga ai me kredi, ku në garazh kishte fshehur prej dy vjetësh pistoletën që përdori në krim. Sipas dosjes që po hetohet nga prokurorja Ornella Galeotti, djali 17 vjeçar që luan basketboll ka thënë se debatet ishin thuajse të përditshme mes nënës dhe babait.

Dy ditë pas vrasjes së gruas, muratori 44-vjeçar kreu vetëvrasje dhe u gjet pa jetë në fshatin San Casciano. Në rrëfimet e fëmijëve përmendet disa herë “një xhelozi shumë e fortë” e burrit që duket se nuk ka pranuar të shihte Klodianën të dilte për tu takuar me një italian 52-vjeçar, i cili tha se kishte debatuar me Alfred Vefën, sepse Klodiana “i telefonoi kur ndodhej pikërisht përballë tij”.  Policia ka arritur tek ky person falë një postimi të gruas në rrjetet sociale të enjten në mbrëmje kur ajo sapo kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në darkë me një shoqe në një restorant.

Italiani ishte ai që u ka thënë hetuesve se “Klodiana nuk kishte frikë nga i shoqi. Edhe kur i tha se kishte një armë të fshehur në garazh”. Gruaja nuk e kishte njoftuar policinë për këtë fakt. Fëmijët megjithatë duket se kanë pasur një marrëdhënie shumë të afërt me nënën. Djali, para se t'i jepte lamtumirën nënës së tij për herë të fundit, iu drejtua me fjalët: "Ti je atje lart në qiell. Unë të dua. Na mbro të gjithëve. Të njëjtën gjë do ta bëj edhe me motrën time”.

klodiana vefa itali femijet