TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Shkurt 2026, 12:28

Humbi të birin në aksidentin e Tempit, shqiptari akuza autoriteteve greke pas shtyrjes së zhvarrimit: S'ka mjekë ligjorë

Shkruar nga Pamfleti
Humbi të birin në aksidentin e Tempit, shqiptari akuza autoriteteve
Pano Ruçi, babai i Denis Ruçit

Pano Ruçi, babai i Denis Ruçit një prej viktimave të aksidentit hekurudhor të Tempit tre vite më parë ka reaguar pas vendimit për shtyrjen e zhvarrimit të trupit të të birit në Greqi. Procesi ishte kërkuar prej tij dhe u miratua pas disa javësh grevë dhe proteste para Parlamentit grek.

Në një intervistë për televizionin ANT1, në emisionin “Mirëmëngjes Greqi”, ku ishte e pranishme edhe avokatja e familjarëve të viktimave, Mary Hadjikonstantinou, Ruçi foli për vonesat dhe vështirësitë procedurale.

Sipas tij, vendimi për zhvarrimin u komunikua me vonesë, duke e lënë familjen pa kohë për të ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore dhe procedurale.

“Nuk kishim kohë të vepronim sepse vendimi erdhi vonë të martën pasdite. Procedurat për të gjithë ne të afërmit u përshpejtuan. Prisnim që prokurorja Larissa të caktonte një ekspert dhe një mjek ligjor dhe pastaj do të caktonim tonin me radhë, gjë që nuk ndodhi. Nuk ka laboratorë të përshtatshëm për analizat që duam dhe nuk ka mjekë ligjorë për të kryer këto analiza”, tha ai.

Ruçi ka shprehur publikisht dyshime nëse trupi që ka varrosur është vërtet i të birit, si dhe ka kërkuar një riekspertim të plotë, përfshirë analizat e ADN-së dhe hetime të detajuara mbi shkaqet e vdekjes.

Në të njëjtin emision, avokatja Mary Hatzikonstantinou ngriti shqetësime lidhur me mënyrën si janë trajtuar trupat e viktimave pas aksidentit dhe kohën e gjatë që ka kaluar deri në kërkesat për zhvarrim.

“Ka kaluar shumë kohë për zhvarrimet, mënyra se si u pritën trupat, në parim nuk e dimë se çfarë ka brenda. Mbledhja e trupave nga vendi i aksidentit u bë në një mënyrë që nuk ishte e besueshme. Në këtë kohë nuk e dimë se çfarë do të gjejmë brenda kur t’i hapim. Dhe në lidhje me cilësinë, gjendjen e trupit dhe nëse fëmija i Panos është realisht brenda”, u shpreh ajo.

Ruçi ka hedhur dyshime nëse fëmija që varrosi është i tij dhe për shkaqet e vdekjes, ndaj kërkoi riekspertim të detajuar që nga analiza e ADN-së dhe deri tek ato për shkaqet e humbjes së jetës.

Lini një Përgjigje