
Oficerët e Drejtorisë greke për Luftimin e Krimit të Organizuar zhvilluan një operacion kontrolli në burgun e Domokos.
Forcat kontrolluan me imtësi disa qeli, përfshirë ato të të dënuarit shqiptar Alket Rizaj dhe të një tjetër të dënuari shqiptar të njohur si “Sandri”. Autoritetet e konsiderojnë këtë të fundit organizator të transportit të 1.2 ton kokainë në Astakos, në rajonin e Aitoloakarnanisë, nga Karaibet në janar 2020.
Gjatë operacionit, oficerët sekuestruan telefona celularë, karikues dhe thika. Kontrolli u zhvillua vetëm një ditë pas një tjetër operacioni në të njëjtin institucion, ku autoritetet verifikuan 17 qeli.
Burime zyrtare njoftojnë se kontrollet do të shtrihen në të gjitha burgjet e vendit për të ndaluar futjen e armëve, lëndëve narkotike dhe sendeve të ndaluara.
Paralelisht, autoritetet vazhdojnë hetimet për vrasjen e një të dënuari të rrezikshëm brenda ish-Burgut Qendror. Policia arrestoi një të dënuar që dyshohet se kreu të shtënat dhe ndaloi drejtorin e burgut. Hetuesit nuk përjashtojnë masa të tjera arresti ndërsa procedurat vijojnë.
Sipas raportimeve, Rizaj dyshohet se ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, por ai e ka mohuar këtë. Burime pranë hetimit përmendin mospërputhje mes deklarimeve të tij dhe dëshmive të rojeve dhe personave të tjerë.
Lini një Përgjigje