
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së shtunës, duke çuar në arrestimin e 6 personave të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal.
Policia ka zhvilluar një operacion në qytetin e Fierit, Lushnjes dhe Divjakës lidhur me firmat piramidale online.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së shtunës, duke çuar në arrestimin e 6 personave të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal. Gjithashtu, disa persona të tjerë janë shoqëruar nga policia dhe po merren në pyetje si pjesë e hetimeve që janë ende në vijim.
Drejtori i policisë së qarkut Fier bëri me dije se në kuadër të këtij operacioni janë kryer 83 kontrolle banesash e subjektesh.
“Organizatorët e vërtetë vijojnë të jenë objekt hetimi dhe Polia po ndjek të gjitha gjumët për të zbardhur këtë rrjet. Mos besoni në investime të sigurta që premtojmë fitim të menjëhershëm. Mos lejoni që persona të njohur t’ju shtyjë të bëheni pjesë e skemave të tilla”, thuhet në konferencën për shtyp të Policisë Fier.
Po gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 50 aparate celularë, 11 njësi kompjuterike, 1 DVR, 2 hardisk, 1 automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga.
Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.
Firmat piramidale online, u përhapën me shpejtësi duke iu premtuar qytetarëve se do të fitonin shumë të mëdha parash duke investuar.
Operacioni vjen pas një sërë ankesash nga qytetarët, të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve përmes platformave online që funksiononin si skema piramidale, duke premtuar fitime të shpejta në këmbim të investimeve financiare.
Pas denoncimeve të njëpasnjëshme, Policia e Shtetit njoftoi se kishte nisur hetimet për mashtrimet financiare që po u bëheshin qytetarëve dhe u bëri apel këtyre të fundit që të mos bëjnë asnjë investim financiar.
Pak javë më parë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike reagoi në lidhje me rrjetin e mashtrimit online TXEX që dyshohet se i ka grabitur shqiptarëve rreth 5 milionë dollarë.
Lini një Përgjigje