Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin në Dukagjin ku mbeti i vrarë Zef Guri, ndërsa u plagos rëndë i biri Gjin Guri.
Sipas hetimeve paraprake, mësohet se ngjarja e rëndë lidhet me dy pista kryesore atë të konfliktit për pronësinë dhe kultivimin e kanabisit.
Gjin Guri, objektivi i këtij atentati rezulton person me precedentë penalë në tregtinë e drogës. Madje është një nga 60 personat e arrestuar gjatë operacionit antidrogë të kryer në vitin 2015 nga prokuroria e Shkodrës.
Por, përveç problemeve me kanabisin, mësohet se Gjin Guri ka konflikte edhe brenda fisit të tij.
Në 13 tetor 2013 në Sallën operative të Policisë Shkodër është njoftuar se në fshatin Nicaj, komuna Shosh, Gjin Guri ka qëlluar me armë zjarrin në oborr nipin e tij, Petrit Guri.
Në këto rrethana policia ka shkuar në shtëpinë e shtetasit Zef Guri (babai i autorit). Në oborr u gjend një gëzhojë metalike, me ngjyrë bakri në formë shisheje me numra në fundin e saj 7.62 mm, e cila u etiketua me tabelën nr. 1. Gjithashtu në parahyrjen e oborrit u gjet një predhë metalike, në formë konike, si ato të fishekëve 7.62mm, e cila u etiketua me tabelën nr. 2, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Menjëherë pas ngjarjes janë marrë në pyetje i dëmtuari Petrit Guri, Katerina Guri (nëna e të dëmtuarit), nga të cilat ka rezultuar se shkak i konfliktit ka qenë mosmarrëveshja për vendin ku kullosnin bagëtitë.
Është kryer akti i ekspertimit balistik i gëzhojave nr. 132, datë 29 tetor 2013 sipas të cilit: “1.Gëzhoja dhe predha objekt ekspertimi janë pjesë përbërëse të fishekëve luftarakë mod. 56, kal. 7.62 mm që përdoren si municione nga armët e zjarrit automatikët Kallashnikov e Zastava kal. 7.62 mm, pushkët mod. 63 e mod. 56 kal. 7.62 mm si dhe nga ML kal. 7.62 mm. 2. Gëzhoja dhe predha objekt ekspertimi janë të vlefshme për identifikimin e armës që i ka qitur”.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Prokuroria Shkodër, ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën për gjykimin e të pandehurit Gjin Guri, i cili akuzohej në atë kohë për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake”.
Në lidhje me këtë ngajrje, Gjin Guri është arrestuar dhe dënuar në mars 2015 me 2 vite burg. Ndërsa në muajin qershor 2015, ky dënim është ndryshuar nga gjykata e Apelit Shkodër, duke e dënuar Gjin Guri me 7 vite burgim.
Por pas ushtrimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, në muajin Maj 2016 kjo gjykatë dënoi Gurin me 2 vite burgim.
Pra, atentati i mbrëmjës së sotme ku humbi jetën Zef Guri, dyshohet të jetë për hakmarrje pasi objektivi ishte djali i viktimës, 46-vjeçari Gjin Guri.