TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Dhjetor 2025, 15:37

Berisha lë në baltë Endri Shabanin dhe 6 kandidatët e tjerë, tërheq mbështetjen për postin e Avokatit të Popullit

Shkruar nga Pamfleti

Berisha lë në baltë Endri Shabanin dhe 6 kandidatët e

Partia Demokratike nuk do të mbështesë kandidaturën e Endri Shabanit si Avokat të Popullit, ndërsa më parë kreu i Nisma Thurje kishte marrë firmat e 35 deputetëve të opozitës. Por duket se demokratët kanë riparë qëndrimin e tyre, duke tërhequr firmat në mbështetje të Shabanit.

Ai ishte ndër 7 emrat që kishte depozituar brenda afateve kërkesën për të kandiduar për pozicionin e Avokatit të Popullit, ku gjithashtu në garë ishin edhe Jola Hysaj, Aranita Brahaj, Skënder Halucaj, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni dhe Adriana Kalaja.

Por demokratët kanë tërhequr mbështetjen për të gjithë kandidatët, edhe pse nuk dihet nëse kjo lëvizje e momentit të fundit nga PD do të pranohet nga socialistët, edhe pse këta të fundit kanë deklaruar se nuk do të paraqesin asnjë kandidaturë. Gjithsesi socialistët kanë deklaruar se qëndrimi i tyre do të bëhet përmes votës, pra mes grupit të emrave që do të paraqesë opozita.

Më herët gjatë një konference për mediat, kryetari i PD-së, Sali Berisha nuk ia përmendi emrin, por la të kuptohet se demokratët kanë kandidatët e tyre në këtë proces.

Një prej emrave që Berisha e ka përmendur shpesh është ai i kryetarit të shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni.

Endrit Shabani, i cili në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte pjesë e koalicionit me Adriatik Lapajn, ka pasur një përplasje të drejtpërdrejtë me kreun e PD-së, Sali Berisha, ndërsa i ka kërkuar atij, gjatë një debati televiziv që të largohej nga politika dhe t’i hapte rrugën të rinjve të merrnin partinë. Duket se kjo është arsyeja që Berisha ka vendosur të djegë kandidaturën e Shabanit, por edhe emrave të tjerë, që kanë shprehur interes. 

Lini një Përgjigje