
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ka komentuar vendimin e KQZ për mos-regjistrimin e PD në zgjedhjet lokale të 14 majit, me Enkelejd Alibeajn të komanduar kryetar.
Në “Front Line”, ai tha se ky nuk do të jetë një vendim final, teksa shtoi se nëse nuk ka asnjë ndryshim, atëherë opozita do të shkojë me kandidatë të përbashkët.
“S’mund të gjykoj një vendim të Celibashit që bazohet në ligj. Mund të them që nuk është ky besoj vendimi përfundimtar, pasi mendoj që mazhorancës nuk i leverdis. Graviteti do të jetë tek kandidatët unik. Mundësia për të marrë sa më shumë bashki, i rritet së djathtës dhe besoj do ta ketë në vëmendje që të regjistrohet. Nëse PD nuk regjistrohet atëherë do të krijohet një frymë tjetër dhe dashje pa dashje do të shkojmë aty ku kemi thënë të dalim me një kandidaturë. Pra drejt kandidaturës së vetme që kanë dalë nga Primaret”, tha ai.
Ai u shpreh se në zgjedhjet lokale, kudo ku PAA do të mundet do të mbështesë kandidatët e Primareve, por ka shtuar se synimi i saj janë këshilltarët bashkiakë. Duka shtoi se një nga problemet e shumta që opozita ka sot, është pikërisht ndarja brenda PD.
Lini një Përgjigje