
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rezart Tusha, pasi Partia Socialiste kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet lokale të 14 majit.
Sipas prokurorisë, autoritetet gjyqësore zviceriane kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjelltë juridike, për shkakun se informacioni nuk është kërkuar në kuadrin e një procesi penal ndaj subjektit në fjalë.
Sektori i Dekriminalizimit ka vazhduar të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë për subjektin vetëdeklarues, sipas njoftimit, ndërsa theksohet se me përfundimin e tyre rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ-së.
Nëpërmjet medias elektronike, subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë është vënë në dijeni të fakteve se kandidati Rezart Tusha, përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Bashkinë Shijak, është regjistruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Zgjedhor dhe ligjin Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar.
Me datë 4 Prill 2023 në shtypin e përditshëm është botuar shkrimi sipas të cilit “Kandidati i Sali Berishës për Bashkinë e Shijakut, Rezart Tusha, rezulton i dëbuar nga Zvicra në kuadrin e operacionit “Hydra” në vitin 1997, për posedim të lëndëve narkotike, duke ju ndaluar hyrja në Zvicër për pesë vite, një vepër penale kjo që sipas ligjit të dekriminalizimit të skualifkon nga gara për kryetar bashkie.
Njëkohësisht në artikull theksohet se kandidati nuk e ka deklaruar këtë në formular dhe mosdeklarimi i këtij problemi është vepër penale dhe nga ana tjetër te detyron të ndërpresësh garën për bashki.
"Në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesës së ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është regjistruar një proces verifikimi i thelluar për subjektin e vetëdeklaruar Rezart Xhelal Tusha me nr. 49, viti 2021, bazuar në ligjin nr. 238/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Në kuadër të verifikimeve të kryera, rezulton se organet gjyqësore zvicerane, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjellë juridike, për shkak se informacioni nuk është kërkuar në kuadër të një procesi penal ndaj subjektit në fjalë.
Në vijim të sa më sipër, duke synuar përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme ligjore për administrimin e informacionit që i shërben këtij procesi, Sektori i Dekriminalizimit ka vijuar të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë të subjektit të vetëdeklaruar. Pas përfundimit të tyre, rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ-së."-thuhet në reagimin e prokurorisë.