
Kushtetuesja ka vendosur të kalojë në seancë gjyqësore publike çështjen e ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare, përfshi edhe atë për çështjen "McGonigal".
Sipas një njoftimi zyrtar, Kushtetuesja sqaron se në seancë do të shqyrtohet dhe vendoset mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit:
(i) “Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”;
(ii) (ii) “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.
(iii) 2. Deklarimi i vendimit nr.77/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles MCGonigal”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
(iv) 3. Deklarimi i vendimit nr.78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pasi kërkesa e saj për ngritjen e Komisioneve Hetimore u refuzua nga Kuvendi.
Lini një Përgjigje