
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të liderit të partisë Reform UK, Nigel Farage, në Britaninë e Madhe, duke i cilësuar si të pavërteta dhe fyese.
Në një intervistë për radion britanike “Times Radio”, Rama e cilësoi si marrëzi pretendimin e Farage se “1 në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg”.
Ai u shpreh se deklarata të tilla nga politikanë britanikë që lidhen me emigracionin, i konsideron populizma si pjesë e një fushate më të gjerë që ndikuan në referendumin për daljen e Britanisë nga BE, proces që njihet si Brexit.
“Nuk ka një numër të lartë të shqiptarëve të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar që të veçohen nga totali i të burgosurve apo nga shtetasit e vendeve të tjera. Këto janë pjesë të një mozaiku më të gjerë gënjeshtrash dhe argumentesh mashtruese që iu servirën qytetarëve britanikë për t’i bindur të dalin nga Bashkimi Evropian”, u shpreh Rama.
Rama theksoi gjithashtu se shumë sektorë të rëndësishëm në Mbretërinë e Bashkuar do të kishin vështirësi serioze për të funksionuar pa punën e emigrantëve shqiptarë.
“Ku do t’i gjeni njerëzit për të ndërtuar shtëpitë tuaja, për t’ju shërbyer kafen, për të drejtuar taksitë dhe kamionët tuaj”, shtoi kryeministri.
Ai përsëriti ftesën publike drejtuar Nigel Farage për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër realitetin e vendit.
“Ai ka thënë se do të vijë për një vizitë dhe unë do të jem shumë i lumtur ta takoj. Është një mundësi e mirë për të njohur nga afër një njeri me shumë talent e inteligjencë, pavarësisht nga teatraliteti i tij politik dhe për t’i treguar bukuritë e Shqipërisë. Mbase e bindim ta zgjedhë Shqipërinë si destinacion për pushimet e tij”, përfundoi Rama.
Mes kryeministrit dhe politikanit britanik Nigel Farage ka pasur replika në rrjetet sociale gjatë muajve të verës, pikërisht për emigrantët shqiptarë.
Lini një Përgjigje