
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka dalë për ecje nga Liqeni Artificial së bashku me presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Teksa ka shpërndarë një foto, Kim shkruan se e ka për nder të kalojë kohë me presidentin Begaj.
“Gjithmonë është nder të kaloj kohë me Presidentin Bajram Begaj, por sidomos për të ecur dhe biseduar së bashku në këtë ditë të bukur pranvere në Tiranë”, ka shkruar ambasadorja Kim krahas fotos.
Ky takim mes Kimit dhe Begajt vjen një ditë pasi kryeministri Rama i shkoi presidentit në zyrë dhe i propozoi emrin e kreut të ri të SHISH. Me siguri kjo lëvizje e ambasadores nuk është vetëm një ecje në ajër të pastër. Kim mund ti ketë dhënë disa ‘këshilla’ presidentit se si duhet të veprojë.
Aktualisht SHISH drejtohet nga nënkryetari, dikur këshilltar i Ramës, Oljan Kanushi. Si duket Rama e ka nxjerrë nga loja atë dhe ka dërguar një tjetër këshilltare. Ai ka propozuar për kryetare Vlora Hysenin. Kjo e fundit ka qenë nënkryetar e Shërbimit Informativ në Kosovë, por u shkarkua nga detyra nga Kurti dhe Osmani. Më pas Rama e mori këshilltare në Kryeministri.