TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Janar 2026, 15:45

Protesta kundër Ramës/ Berisha vendos datën, pret konfirmim nga aleatët

Shkruar nga Pamfleti
Protesta kundër Ramës/ Berisha vendos datën, pret konfirmim nga
Sali Berisha në protestë

Sali Berisha dhe drejtues të partive opozitare pritet të diskutojnë më 9 janar, në tryezën e thirrur nga demokratët mbi aksionin opozitar.

Pritet që në këtë tryezë të diskutohet dhe vendoset jo vetëm mbi datën e protestës së dytë kombëtare, por edhe ndërveprimi mes të gjithë aktorëve dhe faktorëve që konsiderohen si opozitarë.

Berisha ka hedhur idenë e krijimit të një fronti të gjerë opozitar, duke ftuar jo vetëm subjekte politike, por edhe pjesëtarë nga shoqëria civile dhe organizata, që nuk bashkohen me atë që kreu demokrat e konsideron si “regjimi i Ramës”.

Një ditë më parë, gjatë një konference për mediat, Berisha tha se opozita nuk do të ndalet në asnjë prej formave të protestave, ndërsa theksoi se protesta e rradhës kombëtare kundër Edi Ramës do të mbahet para 20 shkurtit.

Berisha tha se qëllimi i protestave është rrëzimi i qeverisë dhe përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme nga një qeveri teknike.

E ndërsa ka thirrur tryezën me opozitarët për të caktuar datën e protestës, duket se kreu demokrat ka vendosur një datë që pritet t’ua propozojë aleatëve.

Burime nga PD konfirmojnë se demokratët do të propozojnë 24 janarin si datën për thirrjen e qytetarëve në protestë. Nëse pranohet kjo datë, atëherë partive opozitare i mbeten pothuajse dy javë për të përgatitur protestën, e cila nuk dihet nëse do të jetë në formatin e protestës së parë, apo do të jetë e zgjatur në kohë. Ideja sipas demokratëve është që nëse konfirmohet mbajtja e protestës së dytë më 24 janar, ajo e rradhës të mbahet më 20 shkurt, një date që përkon me 35 vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës.  

Protesta e parë kombëtare e thirrur nga demokratët nuk zgjati më shumë se 150 minuta, ndërsa nuk dihet nëse do të vijohet me formate të tilla, ku njerëzit thirren për të protestuar dhe më pas shpërndahen, apo do të kërkohet rezistencë.

Gjithsesi pritet që tryeza e 9 janarit të përcaktojë jo vetëm datën, por edhe formatin e protestës. Tryeza është refuzuar nga Arlind Qori Lëvizjes Bashkë, ndërsa nga Mundësia e Agron Shehaj nuk ka një reagim të qartë nëse do të jetë pjesë ose jo e tryezës. Ndërsa Adriatik Lapaj i Shqipëria Bëhet pritet të mbështesë protestat, por jo tryezat me formate partiake. 

berisha protesta aleate rama

Lini një Përgjigje