TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Prill 2026, 10:26

RAI 3: Shqipëria mes ndërtimeve dhe parave të pista

Shkruar nga Pamfleti

RAI 3: Shqipëria mes ndërtimeve dhe parave të pista

RAI 3: Shqipëria mes ndërtimeve dhe parave të pista

Investigimi i emisionit italian “Presa Diretta” në RAI 3, hedh dritë mbi lidhjen e ngushtë mes sektorit të ndërtimit në Shqipëri dhe pastrimit të parave të krimit të organizuar. Dëshmitë e ekspertëve dhe prokurorëve të SPAK tregojnë se si kapitalet e drogës kanë depërtuar në institucionet shtetërore, duke e shndërruar Tiranën dhe Durrësin në qendra të rëndësishme të investimeve me burime të dyshimta...

Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, janar 2026. Nëse ka një karakteristikë që bie në sy që në shikim të parë, është prania kudo e kantierëve të ndërtimit. Megjithatë, kjo siluetë moderne e qytetit fsheh një anë të errët, ashtu siç e dëshmojnë të gjitha hetimet e skuadrës së përbashkët mes magjistratëve italianë dhe shqiptarë.

Paradoksi ekonomik

“Marrim një shembull. Për një projekt të tillë duhen 100 milionë euro. Me nivelin tonë të jetesës dhe ekonominë zyrtare, realizimi i tij do të ishte i pamundur. Thjesht nuk ka para. Pse ekonomia nuk po rritet? Sepse nuk kemi kapital për të investuar në këtë sektor.

Në Shqipëri, paga mesatare është rreth 800 euro. Të gjitha shkojnë për ushqim dhe shpenzime mujore; nuk ka hapësirë për të kursyer e më pas për të riinvestuar”- shprehet ekonomisti Pano Soko, ndërsa shpjegon situatën përpara kantierit të “Exposita Building”, një godinë 93 metra e lartë në qendër të Tiranës.

Djali i sipërmarrësit që po zhvillon projektin është në kërkim nga SPAK për trafik droge. Ky kantier përfaqëson shembullin perfekt të një biznesi të madh që ushqehet nga kapitalet e nëndheshme, të cilat gjejnë te ndërtimi rrugën e tyre natyrale.

Nëse ke 1 milion euro, çfarë do të bësh me to? Mund t’i përdorësh bankat “offshore”, por është një operacion i kushtueshëm. Nuk mund t’i çosh në bankë, kështu që gjen një mënyrë për t’i investuar.

Paratë pastrohen duke ndërtuar grataçela dhe apartamente, me shpresën se çmimi do të mbetet i qëndrueshëm ose, edhe më mirë akoma, do të rritet. Qytete si Durrësi, Shkodra e të tjerë, janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten përmes riciklimit të parave të pista në biznesin e ndërtimit.

Shifra alarmante

Në sheshin “Skënderbej” takojmë Zef Preçin, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. Ai thotë: “Ekonomia jonë është e vogël, me një PBB vjetore rreth 25 miliardë euro. Në 5-6 vitet e fundit, kemi konstatuar se 4.7 miliardë euro qarkullojnë jashtë kanaleve bankare.”

Sipas tij, kjo do të thotë që injektimi i parave të pista është jashtëzakonisht i lartë. Grupet kriminale po investojnë në sektorët më fitimprurës, siç janë grataçelat e shumta në Tiranë. Ndërtimi mbetet sektori më i dukshëm, por pa asnjë lidhje me kërkesën e tregut.

Gjatë 15 viteve të fundit, popullsia e Tiranës është rritur me vetëm 1.000 banorë të rinj. Prandaj ky është më shumë një investim likuiditeti sesa një investim i arsyetuar ekonomikisht. Sipas raporteve, mbi 60 kompani që investojnë në këtë sektor nuk kanë asnjë përvojë të mëparshme në ndërtim. Ndodh që një kompani me xhiro vjetore 1 milion euro, të investojë në një godinë që vlen 50-70 milionë euro.

Korrupsioni dhe institucionet

Lindita Çela, drejtore e medias investigative “Shtegu”, ka analizuar në detaje lejet e ndërtimit. Ajo ka zbuluar se kompanitë kanë shpesh lidhje ose janë bashkëpronarë me njerëz të përfshirë në politikë ose me eksponentë të krimit të organizuar.

“Sot, e gjithë administrata, deri në nivelet më të larta, është e përfshirë në korrupsion. Kemi dy zëvendëskryeministra nën akuzë, një kryebashkiak të arrestuar dhe dhjetëra drejtorë nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash” - thotë ajo.

Edhe Vladimir Mara, prokuror i SPAK, konfirmon seriozitetin e situatës. Sipas tij, elementë të krimit kanë bashkëpunuar me segmente të institucioneve, policisë, prokurorisë dhe gjykatave. “Këto grupe janë shumë të organizuara në trafikun e drogës, me shtrirje evropiane dhe njohuri të larta teknologjike, të fokusuara te fitimi i shpejtë” - thekson Mara.

Durrësi dhe “feudi” i klaneve

Durrësi, 38 km nga Tirana, është vendi ku ndërtohen resorte luksoze, por është edhe “feudi” i një prej bosëve më të njohur, Gëzim Troplini (i njohur si Poja). Zemra e Durrësit është porti i tij, i cili sot kontrollohet nga klani kriminal.

Kontrolli i portit është jetik për kalimin e sasive të mëdha të kokainës. Lufta për këtë kontroll ka qenë e egër, me vrasje të shumta, por në fund Troplini arriti ta zotëronte atë dhe të krijonte lidhje të forta politike. Ai është vizituar publikisht nga personalitete të larta dhe dyshohet se ka mbështetur kandidatë në zgjedhjet e fundit.

Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër, aktualisht nën gjykim për korrupsion, deklaron: “Porti i Durrësit është një port i lirë për kokainën dhe drogat. Ai administrohet tërësisht nga karteli Troplini, më i fuqishmi në Shqipëri, me lidhje të ngushta në Amerikën Latine dhe Itali. Këta kriminelë vendosin për ministrat dhe deputetët”.

Sipas Berishës, Shqipëria përfaqëson një rrezik real për sigurinë e Evropës, duke u shndërruar në “narkoshtetin” e parë evropian me potencial të lartë rrezikshmërie./Pamfleti nga RAI 3

 

shqipëria mes ndërtimeve dhe parave të pista

8 Komente

  1. T
    Tony

    Mos na beni terr verr verr shume. Ne te gjithe Europen pas krizes se 2009 plasen ndertimet. Bregdeti i Frances e Spanjes ishte bosh e u mbush me ndertime, Londra ishte vetem me ndertesa te vjetra e te vogla e lulezuan gratacielat e cmimet i ngjiten ne stratosfere. Hem, Shqiperia e shkrete po ndertohet, natyrisht qe njerezit punojne jashte e brenda. Mos harroni se pas 1945 u nis nga hici e u ngrit aresim, elektrifikim, industri e ushtri e armatosur e tani ndertohen pallate e jo bunkere. Ne se i ndertojne Shqiptaret me djersen e tyre bekuar qofshin e mos harroni ne 50% e Shqiptareve kane emigruar dhe e duan nje shtepi ne token qe i lindi e i rriti. Ky term droge e droge e droge sikur tingellon pak si shtrember. Ju tallagjeret e politikes pse nuk flisni per ruse, serbe, greke, italiane e lloj lloj qensh te huaj qe kane hedhur parane e tyre te piset ne Shqiperi dhe po behen pronare te trojeve e pronave Shqiptare? Si do te ishte me mire qe portet, e Sazanin t'i ndertojne Shqiptaret e te jene prone e biznes Shqiptar apo i kalandereve sorrollope te huaj. Keta kodoshet e politikes e mediave pse nuk e ngacmojne kete problem apo paguhen qe te rrahin uje ne havan e hedhin hi syve popullit? Vetem nje kerkim i percipte te nafta nxorri shume pislleqe, e lere po te ndiqet paraja e minierave e "investimeve" e "bankave". Po kazinot, qe jane droga e parase ne te gjithe boten? Lerini keto perralla qe Shqiptaret na bekan namin neper bote, kur te shkretet bien e vriten neper ndertime. Kush eshte i pari qe duhet te gjykohet kodoshet e shtetit qe po shesin Atdheun apo Shqiptaret mistrece qe sjellin parane e droges e ndertojne e investojne ne token e tyre? Mos ngaterroni jarin me dollarin.

    1. T
      Tony

      Mos u merrni me kurven RAI se mbaj mend qe e vdiq nja 10 here Enver Hoxhen 5 vite para se te vdiste. Edhe keta italianet llaxore nuk heqin fiksimin e Perandorise Romake te perlajne Ballkanin, ashtu si greket e serbet.

      1. O
        Olsi

        Miliarda Euro nga gjithe bota sot pastrohen ne Shqiperi ne ndertim mjafton nje fakt i thjesht rroga 500-600 Euro çmimet e banesave si ne Londer apo Madrid çmimi i banesave ne tere boten percaktohet nga paga ketu ndodh e kunderta Pastrimimi i lekut qe behet ketu te ne po shkaterron edhe Ekonomine e familjeve Shqiptare mjafton tu permend nje fakt te thjeshte shikoni Euron ku eshte katandisur thua te kemi aq ekonomi te forte sa te konkurojme monedhen Euro ? Deri para renies se Euros dikush qe sillte nga emigracioni po e marr si shembull 3000 Euro i binte sillte ne Ekonomine Shqiptare 3,6 milion leke te vjetra Nese Sot sjell 3 000 Euro i bie qe sjell me pak se 3 milion leke te vjetra i bie qe 600 mije leke me pak , po sa qindra mije Emigrante kemi ne bote i bie miliarda lek me pak ne ekonomine Shqiptare katastrofe

        1. B
          BP

          Nuk eshte problem ndertimi, por çmimi shumë i lartë i apartamenteve në një vend ku shumica e njerëzve marrin 300-400 euro në muaj.

          1. k
            k

            Shqiperia eshte terminal i droges botërore dhe ky fenomen do jetë sëmundja e ardhshme e pasherueshme per gjithe shoqerine, ashtu siç qenë firmat piramidale qe mashtruan shume njerëz duke i krijuar iluzionin se mund te pasurohesh pa punuar dhe duke qendruar neper kafe. Ne te gjitha shoqerite njerezore ku mbizoteron para e piset ,ekonomia e ndershme eshte e destinuar të vdesi dhe rrenohet duke shkretuar edhe strukturat shoqerore dhe ekonomine legale. Kush mbron dhe justifikon trafiqet e droges ,dmth se eshte pjese e mekanizmit ose nuk e ka idene si funksionojne shoqerite njerzore.

            1. L
              Loni

              Nuk funksionon drejtesia.prokuroria te kerkoj deklarimet e parave.Te ndjek burimin.

              1. V
                Vflp

                E kan nga inoti se dalin lekt nga Italia e hyn shqpri, kto prokuroret jan shitem te interesat e huja ministrat e jashtem prokuroret ministrat e drejtsis mrojtjes i blejn kollaj kto me lek e miratojn ligje qe i rrin komod shtetit mafioz italian. Dihet boterisht qe Italia esht shkoll krimi boterore e shtet mafioz.

                1. T
                  Tiku

                  Jemi shume te korruptuar. Por problemi vertete nuk eshte korrupsioni,se ne fund ai ekziston ne te gjithe boten.As nuk e kemi shpikuir ne,as nuk e kemi perfeksionuar! Problemi vertete eshte fakti qe jemi shume popull anti-kombetar. Nuk kam degjuar nje njeri qe te doje Shqiperine.Nxjerrim flamurin ne 28 nentor dhe ky eshte patriotizmi per neve. Jemi neve pushtetaret,jemi neve qeveria,ne fund nga gjiri yne dalin. Nuk mendojme per femijet qe na kane ikur ne emigrim,por mendojme per partite. Nuk mendojme si te zhvillohemi por si te vjedhim! Fatkeqesisht e meritojme kete hale qe kemi krijuar (E them me dhimbje). Ne lidhje me emisionin me siper,asgje e re,qe nuk e dinim. Kompani me 1 milion euro,qe investojne ne projekte 10-20-30 milione euro. Para syve eshte pastrimi parave nga droga,por eshte me kollaj te marrin pjesen se sa ti luftojne. Duke filluar nga kryeministri e me poshte

                  Lini një Përgjigje