
Në kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, dërguar ILD-së dhe KLP-së, argumentohet se Prokuroria Elsa Gjeli në shkelje të hapur ka refuzuar të nis hetim për rastin në fjalë...
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja nuk ka humbur kohë për të zbatuar urdhrin e kryeministrit Edi Rama lidhur me prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila u akuzua nga kreu i qeveris se kishte mbyllur sytë para krimit me ndërtimet pa leje në Theth.
Sot mësohet se Manja ka dërguar në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), rastin e prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, dhe ka kërkuar nisjen e një procedimi disiplinor ndaj saj, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.
Në kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, dërguar ILD-së dhe KLP-së, argumentohet se Prokuroria Elsa Gjeli në shkelje të hapur ka refuzuar të nis hetim për rastin në fjalë dhe nuk ka kryer asnjë lloj verifikimi, pavarësisht materialeve hetimore fillestare që i janë paraqitur asaj.
“Rrethanat që diktojnë mosfillimin e procedimit penal, sikundër është ajo që lidhet me parashikimin ose jo në ligj si vepër penale të një veprimi ose mosveprimi, është një nga ato konstatime që lidhet me ballafaqimin e faktit të ndodhur me dispozitat e Kodit Penal në fuqi dhe të ligjeve të tjerë që parashikojnë vepra penale për të konkluduar nëse ai përbën vepër penale.
Kjo ndodh në ato raste kur verifikimi është i thjeshtë dhe në gjendjen e një materiali hetimor fillestar, prokurori është në gjendje të kryejë këtë verifikim në mënyrë të saktë dhe shteruese. Në rastin konkret, prokurori nuk ka kryer asnjë verifikim pranë organeve kompetente shtetërore që merren me administrimin e territorit ku ka ndodhur ngjarja, verifikime të cilët do të hidhnin dritë më mirë mbi rrethanat konkrete të ngjarjes. Edhe pse, jemi të mendimit që në rastin konkret, për shkak se vepra penale e konsumuar nuk lidhet vetëm me parashikimet e Kodit Penal, por dhe me ligje të tjera ku mund të referojnë dispozitat penale, si dhe për shkak se kërkohen hetime të thelluara (këqyrje vendi, ekspertime, marrje deklarimesh nga persona që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, etj.), prokurorja duhej të kishte disponuar regjistrimin e procedimit penal dhe kryerjen e hetimeve të plota e gjithëpërfshirëse”, thuhet në kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë.
Më tej argumentohet se ka mangësi serioze në vendimin e marrë nga prokuroria Gjeli, duke vënë në dyshim aftësinë e saj profesionale. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në vendimin e prokurores Gjeli për të mos nisur një hetim mbi rastin në fjalë, është marrë në bazë të një ligji i cili nuk është më fuqi dhe që është shfuqizuar që në vitin 2020.
“Prokurorja, për të arritur në një konkluzion të saktë për ekzistencën e veprës penale "Ndërtimi paligjishëm" të parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal duhet të njohë dhe analizojë në kontekstin e ngjarjes legjislacionin e fushës përkatëse. Parë në këtë këndvështrim, një tjetër mangësi serioze e vendimit të prokurores Elsa Gjeli është analiza e paplotë dhe e pasaktë e kuadrit ligjor në fuqi për zhvillimin e territorit, mbrojtjen e pronës dhe mjedisin. Së pari theksojmë se në analizën e saj ajo i është referuar ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", por ky ligj është shfuqizuar nga ligji nr.20/2020 "Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë".
Prokurorja Elsa Gjeli duke shpërfillur krejtësisht dispozitat në fuqi të ligjit të ri, si dhe detyrimet specifike për ndërtimet në zona të mbrojtura dhe ato me përparësi për zhvillimin e turizmit, ka arsyetuar vendimin e mosfillimit duke u bazuar te një ligj që nuk është në fuqi, pra është një ligj i vdekur juridikisht. Referimi në arsyetimin e vendimit të mosfillimit tek një ligj i shfuqizuar, tregon varfëri intelektuale në njohuritë mbi ligjin, mungesë trajnimi vazhdues në fushën e ligjit, njohuri të cunguara në fushën e ligjit dhe paaftësi profesionale”, thuhet më tej në kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë.
Gjithashtu argumentohet se në këtë rast nuk është marrë në konsideratë as praktikën dhe jurisprudencën e vendimeve të Gjykatës së Lartë në këtë drejtim.
“Sa më lart, parë në tërësi fakti i përmendur në materialin hetimor të Prokurorisë Shkodër, në raport me parashikimet ligjore të zbatueshme si dhe me praktikën e Gjykatës së Lartë, rasti i ndërtimit të kryer në zonën e Thethit, nuk është një rast i cili mund të verifikohet vetëm mbi bazën e akteve që prokurori ka pasur në dispozicion. Përkundrazi, rasti paraqitet në formë komplekse, kërkon hetim të thelluar, gjë e cila nuk është realizuar nga prokurori, në kundërshtim me përmbushjen e rolit dhe funksionit të tij”, shtohet ndër të tjera në kërkesën e minsitrit Manja.
Në përfundim, Ministria e Drejtësisë shprehet se e shikon vendimin e prokurores Gjeli, në kundërshtim me përmbushjen e rolit dhe të funksionit të tij dhe në cenim të rregullave të ushtrimit të hetimit. Ndodhur në këto kushte, ministria kërkon një shqyrtimit të thelluar nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, lidhur me rastin.
Lini një Përgjigje