TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Shkurt 2026, 17:16

Vendimi i Kushtetueses për komisionet, Bardhi: Rrëzoi “banditizmin parlamentar”

Shkruar nga Pamfleti
Vendimi i Kushtetueses për komisionet, Bardhi: Rrëzoi
Gazmet Bardhi

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas vendimit unanim të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi aktin për shtimin e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, duke konstatuar shkelje të rregullave parlamentare dhe cenim të parimeve kushtetuese.

Në një deklaratë publike, Bardhi e cilësoi vendimin si një përgjigje të qartë ndaj asaj që ai e quajti “dhunim brutal të rregullave të parlamentarizmit”.

Gjykata Kushtetuese, njëzëri, rrëzoi aktin e parë të Legjislaturës së re të Kuvendit, duke konstatuar dhunimin brutal të rregullave të parlamentarizimit. Vendimi sanksionoi cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese, të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve, si dhe shkeljen e rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit dhe të procedurës parlamentare për miratimin e akteve”, u shpreh Bardhi.

Ai tha se opozita ka ngritur prej kohësh shqetësimin për mënyrën se si, sipas tij, po funksionon Kuvendi.

Prej kohësh, kemi ngritur shqetësimin për degradimin e Kuvendit. Organi më i lartë kushtetues në vend po sillet si një strukturë njëpartiake, që shpërfill rregullat e bashkëjetesës mes forcave politike dhe imponon vendime pa debat të mirëfilltë, thjesht me forcën e kartonit. Ky nuk është parlamentarizëm. Ky është banditizëm”, deklaroi kreu i grupit të PD.

Duke iu referuar procesit të integrimit europian, Bardhi kujtoi kushtëzimet e vendosura ndaj Shqipërisë në të kaluarën për rregulloren e Kuvendit.

Të gjithë mbajmë mend se si në vitin 2012, Komisioni Europian kushtëzoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë me ndryshimet konsensuale në Rregulloren e Kuvendit. Sot, përkundrazi, bashkëpunimi parlamentar është zhbërë, rregullat shpërfillen, Kushtetuta shkelet hapur dhe dialogu është zëvendësuar nga imponimi brutal i vullnetit të shumicës. Madje, maxhoranca, ende pa u shpallur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, deklaron hapur se do ta injorojë atë dhe do të miratojë sërish të njëjtin akt, pa asnjë diskutim”, u shpreh ai.

Sipas Bardhit, situata kërkon reagim më të gjerë institucional dhe publik.

Ky zhvillim nuk meriton heshtjen, por vëmendjen e të gjithë atyre që e konsiderojnë parlamentarizmin themel të integrimit europian. Sepse parlamentarizmi nuk mund të jetë çështje vetëm e diskutimeve burokratike në raporte vjetore progresi. Kur cenohen parimet e balancës dhe dialogut institucional, standardet europiane duhet të mbrohen në mënyrë të dukshme, të qëndrueshme dhe jo selektive”, deklaroi ai.

Në vijim, Bardhi theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të shërbejë si kufi ndaj praktikave që, sipas tij, bien ndesh me Kushtetutën.

Kushdo që kërkon ‘konstruktivitet’ në kushtet e shkeljes së rregullave, e mori dje përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese: demokracia nuk ndërtohet mbi imponimin e dhunshëm antikushtetues të shumicës. Prandaj, sot është dita që secili të marrë përgjegjësi dhe të dënojë pa hezitim instalimin e banditizmit në Kuvend, duke folur hapur për dhunën e kartonëve që ka zëvendësuar debatin dhe ka deformuar kuptimin e parlamentarizmit. Si në çdo vend demokratik europian, konstruktiviteti nuk nënkupton heshtje përballë shkeljeve, por mbrojtje të Kushtetutës, të rregullave dhe të balancës institucionale”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se opozita nuk do të pranojë të legjitimojë, sipas tij, praktika antidemokratike.

Opozita as ka qenë dhe as do të jetë fasadë për legjitimimin e praktikave antidemokratike, praktika që, për fat të keq, po shtrihen edhe në institucione të tjera kushtetuese, nga Avokati i Popullit deri te votimet e fundit të Parlamentit për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, deklaroi ai.

Në përfundim, Bardhi theksoi se integrimi europian lidhet me funksionimin e institucioneve të pavarura.

Shqipëria europiane nuk ndërtohet me institucione kushtetuese njëpartiake, por me institucione të pavarura dhe me integritet. Heshtja përballë cenimit të parlamentarizmit dhe kompromisi me antiligjin nuk prodhojnë stabilitet europian, prodhojnë probleme që sot i vuajnë shqiptarët, por nesër do të peshojnë mbi vetë Bashkimin Europian”, përfundoi Bardhi.

Lini një Përgjigje