TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Tetor 2025, 14:23

Zgjedhjet në 6 Bashki, Kryesia e PS-së zyrtarizon sot kandidatët për kryebashkiakë

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në 6 Bashki, Kryesia e PS-së zyrtarizon sot kandidatët

Kryesia e Partisë Socialiste do të zyrtarizojë pasditen e së martës 6 kandidatët për kryebashkiakë në njësitë vendore ku në 9 nëntor do të mbahen zgjedhjet e pjesshme.

Mbledhja e Kryesisë së PS-së do të nisë në orën 18:00, ndërsa pritet një formalizim i emrave që më parë kanë kaluar në ‘sitë’ dhe kanë marrë një miratim nga kreu socialist Edi Rama.

Kështu përveç Tiranës, ku për postin e kryebashkiakut garon Ogerta Manastirliu,do të përcaktohen edhe kandidatët në 5 bashkitë e tjera: Vlorë, Berat, Cërrik, Tepelenë dhe Mat.

Në këto 5 bashki vakancat janë krijuar për shkak të dorëheqjes së Kryebashkiakëve që në 2023 morën mandatet. Me përjashtim të Vlorës, ku Ermal Dredha dha dorëheqjen pas përplasjeve me Kryeministrin Edi Rama, në 4 bashkitë e tjera, kryebashkiakët u dorëhoqën pasi kandiduan për deputet në zgjedhjet e 11 majit.

Në Mat pritet të zyrtarizohet Altin Bojni, ndërsa në Berat pritet të zyrtarizohet kandidatura e Ervin Ceca. Momentalisht Ceca mban postin e nënkryetarit të kësaj bashkie.

Në Cërrik, PS do të ketë kandidat kryetarin e komanduar Florenc Doka, ndërkohë që për Tepelenën dhe Vlorën pritet të vendoset pasditen e sotme.

 

Lini një Përgjigje