Ditën e sotme me 9 shkurt, ka nisur fazën përmbyllëse e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të flasin para togave të zeza, sa i takon akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës 1998-1999.
Prokurorja Clare Lawson thotë se pjesëtarët e UÇK-së kanë heshtur përballë ‘krimeve të luftës’.
“Të ndaluarit janë rrahur brutalisht përfshirë këtu edhe nga Rexhep Selimi, ndërsa 11 të ndaluar kanë vdekur. Thaçi i kishte synimet e qarta. Thaçi i shoqëruar nga Selimi, ia paraqiti UNMIK-ut planin për qeverinë e përkohshme”, tha ajo.
Sipas saj, ish-presidenti Thaçi po përpiqej të kryente punë që nuk i takonin.
Prokurorja tha se UÇK-ja vazhdoi me “shënjestrimin e civilëve” edhe pasi u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, duke ndaluar civilët nën dyshimet për bashkëpunim.
Sipas saj, pas Marrëveshjes së Kumanovës, UÇK mori nën kontroll infrastrukturën shtetërore dhe të akuzuarit tentuan të vendosnin autoritetin de facto në terren. Ajo përmendi një komunikatë të qershorit të vitit 1999, ku thuhej se ishin ndaluar tre persona, dy prej të cilëve ishin vrarë dhe një ishte arratisur. Lawson pretendoi se Thaçi po tentonte të konsolidonte pushtetin te faktori ndërkombëtar, duke mohuar se ka pasur vepra penale.
Ndërkohë, Prokuroria e Hagës ka bërë një sqarim, duke thënë se fjala e prokurores speciale është përkthyer keq në shqip.
Sipas Prokurorisë në Hagë, prokurorja ka kërkuar 45 vite burg për secilin ish-komandant të UÇK-së. Pra, në total janë kërkuar 180 vite burgim. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i gjykatës Christopher Bennet për Rel.
Lini një Përgjigje