Kosova 1 Qershor 2023, 13:46

Presidentja Vjosa Osmani takohet me Zelenskyn

Shkruar nga Pamfleti
Presidentja Vjosa Osmani takohet me Zelenskyn
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Volodymyr Zelenksy

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila ndodhet në Moldavi për samitin e Komunitetit Politik Evropian, është takuar me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Në pamjet e publikuara shihet se takimi mes tyre ishte jo formal dhe në një ambient miqësor. Nuk dihet ende se çfarë kanë folur ata me njëri-tjetrin.

Në këtë samit, udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane janë mbledhur në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës.

Ajo që bie në sy në këtë Samit, është vendi ku është ulur presidentja e Republikës së Kosovës. Në fotografinë e publikuar nga shefi i stafit të presidentes, Blerim Vela, shihet që presidentja Osmani është në mes të presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Samiti i EPC në Kishinau fillon me një fjalim pasionant  të Presidentit Zelenksy përballë krerëve të shteteve të 47 vendeve evropiane. Një shfaqje e madhe mbështetjeje dhe solidariteti me popullin e Ukrainës. Demokracitë do të mbizotërojnë kundër luftës së agresionit nga një vend hegjemonist”, ka shkruar Vela.

Gjatë ditës së sotme është raportuar se Scholz dhe Macron janë përfshirë edhe në përpjekje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

zelenskyn vjosa osmani