
Lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ka reaguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Pas takimit gjatë ditës së djeshme me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ku diskutuan lidhur me situatën gjatë ditëve të fundit në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, Borrell tha se sot pritet të ketë një takim edhe më presidentin Vuçiç.
Përfaqësuesi i BE-së, tha se për Kosovën dhe Serbinë, dhuna nuk është rruga e duhur dhe të gjithë duhet të angazhohet për de-përshkallëzim të situatës në veri.
”Jam në pritje të një takimi me Aleksandër Vuçiçin. Duhet të insistojmë se dhuna nuk është rruga e duhur, dhuna duhet të ndëshkohet dhe kryesit e kësaj dhune duhet të vihen para drejtësisë. Duhet të shmanget çfarëdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizjet e pakoordinuara”, tha ai.
Tensionet në veri të vendit pritet të jenë temë e diskutimit mes udhëheqësve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane që mblidhen sot në Kishnjev të Moldavisë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.