Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, "kryetarët e supozuar" nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.
Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiç tha se një hap i tillë do të ishte "lëvizja më e fuqishme" për zgjidhjen e krizës, citon Radio Evropa e Lirë.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.
“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha mes tjerash presidenti serb.
Serbët kanë nisur të grumbullohen para ndërtesave të komunave në Zvecan, Zubin Potok e Leposaviç në veri të Kosovës. Ata do të vijojnë edhe sot protestat për të kërkuar sërish largimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave dhe të njësive të posaçme të policisë së Kosovës.
Situata është e qetë ndërkohë që kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç ka deklaruar se KFOR-i pranoi kërkesën të caktojnë perimetrin e sigurisë përmes rrugëve anësore që dërgojnë deri te komuna, në mënyrë që nëse ka tentim të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës të parandalohen incidentet. Protestës në Zveçan u janë bashkuar edhe punëtorët e sistemit shëndetësor.
Ndërkohë kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri për të shmangur tensionet ka vijuar punën nga një tjetër godinë në fshatin Çabër të kësaj komune. Ai tha se po vlerësohet situata jashtë godinës komunale.
Shefi i misionit të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se dërgimi i trupave shtesë në veri të Kosovës nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë nga zgjidhja politike, Dy ditë më parë Stoltenberg bëri të ditur se NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në veri të Kosovës për të garantuar sigurinë sipas rezolutës së OKB-së. Madje, edhe një batalion është në gatishmëri nëse është nevoja.
Lini një Përgjigje