Kulture17 Mars 2023, 11:24

Ermal Meta mahnit me monologun tek ‘Le Iene’: Dy akte dashamirësie ndryshuan fatet e katër njerëzve

Shkruar nga Pamfleti

Ermal Meta mahnit me monologun tek ‘Le Iene’: Dy akte

Në një monolog për programin italian “Le Iene”, këngëtari Ermal Meta rrëfeu largimin e nënës së tij në Itali me pasaportë false. Meta, i lindur në Fier, tregon se si dy akte dashamirësie ndryshuan fatet e katër njerëzve, të cilët nëse do të qëndronin në Shqipëri, mund të përballeshin me shumë vështirësi.

‘Ajo grua nuk i besonte askujt. Një ditë, në rrugë, i afrohet një i panjohur dhe i thotë se ka dëgjuar gjëra, gjëra të tmerrshme që do t’i ndodhin. Ajo frikësohet, por e beson. Në fund të fundit, çdo gjë mund t’i ndodhte një gruaje pa burrë në ato kohë. I panjohuri e këshillon të largohet, por ajo nuk di se si. Ai ofron të paguajë për një pasaportë të huaj gjermane dhe nuk dëshiron asgjë në këmbim. I kërkon vetëm foto pasaporte. Kur ajo e pyet pse po e ndihmon, ai përgjigjet se nuk po e bën vetëm për atë, por edhe për fëmijët e saj. Të nesërmen, gruaja bën fotografitë dhe ia çon. Ai shkon te një falsifikues dhe një javë më vonë, pasaporta është gati. I huaji i uron fat. Ata nuk do ta shohin më kurrë njëri-tjetrin. Gruaja i lë fëmijët me nënën e saj dhe shkon të marrë tragetin që shpreson ta çojë në një jetë të panjohur, por të mirë, si ai burri. I kalon kontrollet nga policia shqiptare, pa vëshitrësi dhe kështu, rreth orës 07:00 të ditës tjetër, anija në të cilën ndodhet, hyn në portin e Brindizit. Para zbarkimit, çdo pasaportë kontrollohet me përpikëri. Por, në Itali, situata bëhet më e ndërlikuar. Në kontroll, një oficer vë re pasaportën false. Ai duket se e kishte kuptuar tashmë. ‘Kjo pasaportë është e rreme, e di?’, thotë me zë të ulët.  ‘Po, e di’, pranon ajo. ‘Nuk mund të të lë të kalosh, duhet të të kthej prapa”.

Gruaja qan duke u përpjekur të mos shihet nga të tjerët. Më pas, nga çanta nxjerr një fotografi dhe ia tregon. “Këta janë tre fëmijët e mi. Nëse kthehem nuk do të ketë të ardhme për ta”. Me të  dëgjuar këtë, oficeri merr pasaportën e saj dhe e vulos. Ajo është e lirë të shkojë. Ajo do të donte ta përqafonte, por nuk mundej. “Ik dhe paç fat”, i thotë oficeri, duke i treguar derën e së ardhmes së saj të pasigurt. Nuk u pamë më kurrë. Dy akte dashamirësie shpëtuar katër jetë. Mes atyre jetëve ishte edhe e imja. Jini të sjellshëm. Ju mund të shpëtoni dikë.”, përfundon monologu i këngëtarit shqiptar.

ermal meta monolog le ienne