
Pas suksesit një vit më parë në Ligën e Konferencës, ku Roma fitoi trofeun e tretë europian për nga rëndësia, “Air Albania” rezulton sërish fatsjellës për skuadrën e Zhoze Murinjos. Verdhekuqtë mposhtën me rezultatin 1-2 skuadrën e Partizanit në miqësoren e luksit të zhvilluar në kryeqytetin shqiptar.
Në minutën e 12, verdhekuqtë zhbllokuan ndeshjen me El Sharauin. Pas një topi në thellësi, sulmuesi italian u shfaq i vetëm përpara portierit Hoxha dhe i kaloi topin sipër, duke e çuar në rrjetë.
Roma dyfishoi shifrat në minutën e 26. Hadroj humbi topin në krahun e djathtë dhe Spinacola nisi kundërsulmin e shpejtë, i cili u finalizua nga Beloti në të djathtë.
Në minutën e 86, Partizani ngushtoi shifrat me Tedi Carën nga pika e bardhë e penalltisë, por goli i të kuqve vlejti vetëm për statistikë.
Ky ishte testi i fundit miqësor për Romën, pasi javën e ardhshme verdhekuqtë do të ndeshen me Salernitanën në “Olimpico” në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të Serisë A, ndërsa Partizani do të kërkojë të zhvillojë të tjera ndeshje miqësore, para startit të Abissnet Superiore.
Lini një Përgjigje