
Kanë përfunduar dy takimet e para për sot për në Champions League. Debutuesja e këtij sezoni, Pafos, ka marrë fitoren e parë në historinë e grupeve në Champions League, pasi mundi 1-0 Vijarrealin në sfidën e luajtur në Limasol. Vendimtar goli i Lukasen, i cili shënoi me kokë në fillim të pjesës së dytë, pas një krosimi të ardhur nga goditja e këndit.
Në ndeshjen tjetër, Çelsi bëri një hap fals duke mos shkuar më shumë se barazimi 2-2 në Baku ndaj Karabagut. Londinezët gjetën të parët golin në minutën e 16, pas një kombinimi të bukur mes dy brazilianëve, Endri Santos dhe Estevao, ky i fundit pas një veprimi të bukur brenda në zonë, dërgoi topin në rrjetë.
Barazimi i vendasve erdhi në minutën e 28, ku pas një aksioni të shpejtë dhe të bukur, Kamilo Duran goditi shtyllën, e cila i mohoi një supergol, por Leandro Andrade u gjend në kohën dhe vendin e duhur për të gjetur rrjetën.
Në minutën e 39, Marko Jankoviç shënoi golin e dytë për Karabag, nga pika e bardhë e penalltisë, pas prekjes së topit me dorë nga Horrel Hato brenda zonës. Pjesa e parë u mbyll 2-1 për të zotët e shtëpisë.
Çelsi barazoi shifrat në minutën e 52 me Alehandro Garnaçon, i cili shënoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme me të majtën. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Pas 4 ndeshjesh, Çelsi mban vendin e 10, Karabagu vendin e 12, të dyja me nga 7 pikë.
Lini një Përgjigje