
FIFA ka vendosur të bllokojë sërish klubin e Vllaznisë, duke ndaluar regjistrimin e lojtarëve të rinj për ekipin shkodran. Sipas informacioneve të publikuara nga “Panorama Sport”, vendimi është marrë më 27 shkurt dhe parashikon një ndalim për një periudhë të pacaktuar.
Kjo situatë nuk është e re për kuqeblutë, të cilët në të kaluarën janë përballur disa herë me masa të ngjashme nga FIFA. Problemet lidhen kryesisht me çështje financiare dhe detyrime të papaguara ndaj ish-lojtarëve.
Një rast i ngjashëm u shfaq edhe gjatë merkatos së dimrit. Megjithatë, drejtuesit e klubit arritën ta zhbllokojnë përkohësisht situatën, duke mundësuar afrimin në formë huazimi të Kevin Dodajt.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve jashtë fushës, Vllaznia po kalon një moment pozitiv në aspektin sportiv. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini kryeson aktualisht kampionatin, me pesë pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Elbasani dhe Egnatia.
Në javën e ardhshme të kampionatit, Vllaznia do të përballet në transfertë me Flamurtarin. Takimi do të luhet në Vlorë të dielën, më 8 mars, duke nisur nga ora 18:00.
Lini një Përgjigje