TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Tetor 2025, 15:27

Gjyqtarët “revoltë” jo vetëm kundër politikës, por edhe ndaj KLGJ; përplasje për mbledhjen e togave të zeza

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqtarët “revoltë” jo vetëm kundër

KLGJ dhe Gjykata e Lartë përplasen se kush ka të drejtë të flasë në emër të gjyqtarëve...

Në vend që të flasin me një zë të vetëm pas vrasjes makabre të gjyqtarit Astrit Kalaja, institucionet më të larta të sistemit gjyqësor po përplasen publikisht për protagonizëm dhe rol institucional. Një konflikt i paprecedentë mes Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Gjykatës së Lartë ka shpërthyer në një moment kur opinioni publik kërkon përgjegjësi, reagim dhe reformë urgjente në sistemin e drejtësisë.

Gjithçka nisi me thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të gjithë gjyqtarëve të vendit nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e cila do të mbahet më 9 tetor në ambientet e vetë KLGJ-së. Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar nga Gjykata e Lartë, “ngjarja e dhimbshme ka nxjerrë në pah gjendjen e brishtë të sigurisë, por edhe rëndësinë e respektit që duhet të shoqërojë funksionin gjyqësor”. Në deklaratë, thuhet se “pas dakordësisë së shprehur nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë”, Sadushi është autorizuar të thërrasë mbledhjen, ku pritet të artikulohet një qëndrim unik dhe solemn: “Asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë. Asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën.”

Por reagimi i menjëhershëm i KLGJ-së hodhi benzinë mbi zjarr. Në një komunikim zyrtar, kreu i Këshillit, Ilir Rusi, akuzoi Gjykatën e Lartë për veprim të njëanshëm dhe anashkalim të institucionit që Kushtetuta e ngarkon për administrimin e pushtetit gjyqësor. “Shprehim keqardhjen që KLGJ ka mbetur i papërfshirë në trajtimin e çështjeve kaq të rëndësishme”, shkruan Rusi, duke e cilësuar veprimin e Sadushit si një “qasje të pakoordinuar dhe aspak të përbashkët”.

Në përpjekje për të qetësuar situatën, Sadushi reagoi sërish përmes një letre drejtuar gjyqtarëve dhe vetë anëtarëve të KLGJ-së. Ai u shpreh se “takimi nuk kishte qëllim të shmangte apo anashkalonte Këshillin”, porse ishte një mbledhje e brendshme reflektimi dhe sensibilizimi e drejtuesve të gjykatave, për të ndarë dhimbjen dhe për të shprehur një pozicion institucional në nderim të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja. Sadushi theksoi se “KLGJ-ja është e ftuar” dhe se “bashkëpunimi është thelbësor për të garantuar që siguria, dinjiteti dhe pavarësia e gjyqtarëve të mbeten të pacenueshme”.

Por në sfondin e këtyre letrave zyrtare dhe komunikimeve me tone institucionale, fshihet një realitet më i hidhur: mungesa e unitetit mes organeve të drejtësisë. Në vend që t’i përgjigjen një akti kriminal me një qëndrim të unifikuar, gjyqtarët e Shqipërisë ndodhen në mes të një përplasjeje për kompetenca, nisma dhe rol institucional.

Vrasja e gjyqtarit Kalaja brenda sallës së gjyqit ka ekspozuar jo vetëm dobësinë ekstreme të masave të sigurisë në gjykata, por edhe një çarje të thellë brenda vetë sistemit. Siç është deklaruar nga Gjykata e Lartë, kjo mbledhje e 9 tetorit synon të demonstrojë se “gjyqtarët e Republikës do të qëndrojnë të bashkuar, me kurajë dhe vendosmëri, për të mbrojtur jo vetëm jetën dhe dinjitetin e tyre, por edhe vetë të drejtën e qytetarëve për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur”.

Lini një Përgjigje