
Protestuesit kërkojnë 38 ditë rresht largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kastës së vjetër politike...
Ka nisur këtë të martë protesta e 38-të para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit, të pajisur me pankarta dhe flamuj, u grumbulluan përpara selisë së qeverisë, duke artikuluar kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe duke akuzuar qeverinë për keqqeverisje. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Sloganet që u artikuluan më së shumti janë si "Ky shtet ka mbaruar", "Kjo qeveri duhet të largohet", "Ju erdhi fundi", "Rama duhet të japë dorëheqjen", si edhe "Rama në burg, Berisha në burg".
Gjatë grumbullimit në sheshin 'Skënderbej' një protestues i bëri thirrje Ramës se nëse ka pak burrni, të largohet.
“Nëse ka gjak shqiptari, nëse është burrë shteti, nëse ka pak burrni dhe vlerë pak drejtësi, të japë dorëheqjen dhe të mos na çojë në gjakderdhje. I bëj thirrje që të japë dorëheqjen dhe të mos e çojë popullin drejt konfrontimit.”, tha ai.
Protesta ka bërë bashkë qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, mes tyre fëmijë, të moshuar, studentë, pedagogë, profesionistë, aktivistë të shoqërisë civile, por edhe turistë të huaj që ndodheshin në Tiranë. Organizatorët e cilësojnë këtë si një lëvizje qytetare gjithëpërfshirëse, që sipas tyre po fiton mbështetje nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Gjatë tubimive, protestuesit kanë përsëritur pesë kërkesat kryesore të lëvizjes, duke theksuar se ato janë të panegociueshme. Në krye të tyre qëndron dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama, e ndjekur nga krijimi i një qeverie teknike, e cila sipas organizatorëve duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mes kërkesave janë edhe ndryshime kushtetuese dhe reforma që, sipas tyre, synojnë rikthimin e funksionimit normal të institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e këtyre kërkesave.
Lini një Përgjigje