
Gazetari Artan Hoxha ka treguar se hetuesit dhe përfaqësuesit e akuzës shqiptare kanë bërë një gafë të rëndë në rastin e arrestimit të Fredi Belerit. Teksa ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit”, ai tha se të trembur nga diplomatët grekë, përfaqësuesit shqiptarë kanë dhënë emrat e skuadrës operacionale.
Hoxha shtoi se këto emra që duhet të mbeten sekret kanë përfunduar dhe në mediat greke.
“Prokuroria ka bërë një gafë tjetër. Të trembur dhe të kompleksuar nga diplomatët grekë, kishin dhënë gjithë letrat sekrete diplomatëve grekë. I pashë në mediat greke.
E di çfarë pashë? Emrat e skuadrës operacionale të Tiranës. Si mund t’ia japësh këtë një vendi që je në konflikt të hapur? Që kryeministri, ministri i jashtëm, ministri mbrojtjes, janë ngritur në këmbë nga Uashingtoni në Bruksel. I bëj thirrje skuadrës që ka kryer këtë operacion, ka bërë detyrën, nëse ka shkelje e nxjerr gjykata.
Në rastin konkret kush ja ka dhënë një media në Greqi emrat e skuadrës operacionale? Unë them se ka video, por nuk e nxjerrim, sepse prishen hetimet. Si mund të dalin emrat e skuadrës operacionale kur ata nuk njihen? Atyre u rrezikohet jeta”, është shprehur Hoxha për "Të Paekspozuarit".