TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Qershor 2026, 14:16

BE pezullon organizatën e lidhur me Orbanin, i kufizohet aksesi në institucionet evropiane

Shkruar nga Pamfleti
BE pezullon organizatën e lidhur me Orbanin, i kufizohet aksesi në
Viktor Orban

Organizata akuzohet se nuk ka deklaruar burimet e financimit në regjistrin e transparencës së BE-së. MCC Brussels e cilëson vendimin politik dhe paralajmëron apelim…

MCC Brussels, një institut kërkimor me orientim të djathtë dhe lidhje me ish-kryeministrin hungarez Viktor Orbán, është pezulluar nga Regjistri i Transparencës i Bashkimit Evropian pasi u akuzua se nuk kishte deklaruar plotësisht informacionet financiare, përfshirë burimet e financimit. Sipas një emaili të sekretariatit të Regjistrit të Transparencës, të siguruar nga media Politico, organizata është pezulluar nga regjistri që mbikëqyr aktivitetet e lobimit dhe të ndikimit në institucionet e BE-së.

Vendimi mund t’i kufizojë MCC Brussels mundësinë për të zhvilluar takime të caktuara me institucionet evropiane. Gjithashtu, pezullimi mund ta përjashtojë organizatën nga pjesëmarrja në grupet e ekspertëve të Komisionit Evropian dhe në seancat dëgjimore të komiteteve të Parlamentit Evropian.

Masa vjen pas një ankese të paraqitur nga organizata Corporate Europe Observatory, e cila pretendoi se MCC Brussels nuk kishte bërë publike burimet e financimit. Organizata ngriti gjithashtu akuza se instituti përhapte propagandë në favor të qeverisë së Orbanit. MCC Brussels u themelua në vitin 2022. Sipas deklarimeve financiare, organizata përfitoi më shumë se 6 milionë euro gjatë vitit 2024 për të promovuar qasjen e saj ndaj çështjeve politike, socio-ekonomike dhe kulturore në nivel evropian. Pothuajse i gjithë financimi erdhi nga institucioni arsimor hungarez Mathias Corvinus Collegium (MCC) me seli në Budapest, i cili drejtohet nga aleatë politikë të afërt të Orbanit.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i MCC Brussels, Frank Furedi, deklaroi se organizata është përballur vazhdimisht me përpjekje për ta margjinalizuar dhe heshtur për shkak se sfidon, sipas tij, pikëpamjet dominuese në debatet politike evropiane. MCC Brussels njihet për qëndrimet kritike ndaj politikave klimatike të BE-së. Vitin e kaluar organizoi në Parlamentin Evropian një aktivitet me titull “Kërcënimi i ideologjisë trans”, i mbështetur nga eurodeputeti i partisë hungareze Fidesz, Andras Laszlo.

Nga ana e tij, drejtori i komunikimit të MCC Brussels, John O’Brien, e quajti vendimin “politik që në fillim”. Ai argumentoi se ankesa ishte paraqitur nga një organizatë aktiviste që, sipas tij, ka kundërshtuar prej kohësh MCC Brussels dhe ka marrë mbështetje nga rrjete të lidhura me fondacionet Open Society Foundations të George Soros.

Regjistri i Transparencës i BE-së përfshin më shumë se 17.500 organizata që ushtrojnë veprimtari lobimi ose ndikimi mbi politikat evropiane. Organizatat e regjistruara duhet të publikojnë rregullisht të dhënat financiare dhe të respektojnë një kod sjelljeje.

MCC Brussels njoftoi se do ta kundërshtojë menjëherë vendimin përmes të gjitha mekanizmave të disponueshëm të apelimit.

 

 

orban be organizata

Lini një Përgjigje