
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se lufta kundër Iranit do të vijojë pa një afat të përcaktuar, ndërsa përplasjet mes dy vendeve po intensifikohen.
“Kjo luftë do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, u shpreh Netanyahu për mediat vendase, duke lënë të hapur kohëzgjatjen e konfliktit.
Që prej 19 marsit, Irani ka shtuar sulmet me raketa balistike ndaj qyteteve izraelite, përfshirë Jerusalemin dhe Haifën. Autoritetet izraelite bëjnë të ditur se, megjithëse janë shkaktuar dëme materiale, nuk ka raportime për viktima.
Një nga goditjet më të ndjeshme ishte ajo ndaj rafinerive “Bazan” në Haifa, ku një raketë shkaktoi zjarr. Autoritetet siguruan publikun se “nuk ka rrezik për shëndetin nga substancat kimike”.
Përshkallëzimi vjen pas një sulmi izraelit ndaj fushës së gazit South Pars në Iran. Burime të ndryshme sugjerojnë se Teherani po shqyrton kundërpërgjigje ndaj objektivave energjetike në Gjirin Persik dhe Mesdhe.
Nga ana tjetër, Netanyahu pretendoi se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dobësuar ndjeshëm. “Irani është dobësuar ndjeshëm, kapacitetet e tij për raketa dhe pasurim uraniumi janë reduktuar”, tha ai.
Megjithatë, në deklaratat për mediat ndërkombëtare, ai la të kuptohet një tjetër perspektivë për konfliktin: “Kjo mund të përfundojë më shpejt nga sa mendohet”.
Ndërkohë, Izraeli vijon operacionet ndaj objektivave iraniane. Sipas mediave iraniane, në një sulm ajror është vrarë zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Ali Mohammad Naini, një informacion i konfirmuar edhe nga ushtria izraelite.
Lini një Përgjigje