Bota29 Nëntor 2023, 21:27

Rusia në alarm pas vizitës së Stoltenberg në Ballkan: Po tenton të na rrëmbejë Bosnjen dhe Serbinë!

Shkruar nga Pamfleti

Rusia në alarm pas vizitës së Stoltenberg në Ballkan: Po

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse ka shpërthyer në sulme ndaj kreut të NATO për takimet e tij në Ballkan...

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Ballkan ka alarmuar Moskën. Vizita e tij ishte mesazh i qartë për Moskën se nuk ndërhyn dot në rajon dhe si duket Putini e ka marrë shumë të qartë këtë mesazh.

Kjo pasi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova është hedhur menjëherë në sulm. Ajo tha se vizita e tij ishte një lëvizje nxitëse dhe shkatërruese, pasi sipas saj, qëllimi kryesor ishte të mbillte destabilitet në rajon.

"Udhëtimi i Stoltenberg në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi ishte qartësisht dashakeqe. Ai u përpoq të ndërhynte në punët e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës dhe të përshpejtonte lëvizjen e vendit drejt institucioneve të Atlantikut të Veriut [NATO]. Ai këmbënguli që Beogradi gjithashtu të rriste bashkëpunimin me NATO-n, pavarësisht statusit neutral të Serbisë, duke fajësuar Rusinë për gjithçka, duke na akuzuar se përhapim dezinformata në Ballkan", tha Zakharova.

Më tej ajo tha se turneu i Stoltenberg në Ballkan ishte një provë e mëtejshme "e politikës destruktive të bllokut të Atlantikut të Veriut për të tërhequr vendet e rajonit në aleancë".

"Ne besojmë se NATO duhet t'i japë fund politikës së saj që synon destabilizimin e Ballkanit, imponimin e rregullave të saj në rajon dhe vendosjen e vijave të reja ndarëse atje. Siç tregon historia, ndikimi i aleancës në Ballkan gjithmonë çon në pikëllim, humbje jete, shkatërrim dhe krime lufte”, tha ajo.

Por teksa Moska vijon presionet, SHBA nga ana e saj vijon të punojë për një distancim të Serbisë nga Rusia. Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, tha se është e papranueshme që Serbia të vazhdojë marrëdhëniet e mira me Rusinë, pasi Moska ka shkaktuar kaos në gjysmën e botës.

Serbia është një vend që krenohej me marrëdhëniet shumë të mira me vendet anembanë botës, përfshirë edhe Rusinë. Është krejtësisht e paqëndrueshme të vazhdohen marrëdhëniet e mira me Rusinë. Rusia krijoi kaos në gjysmën e botës, shkaktoi probleme të mëdha për të gjithë”, ka deklaruar Hill.

Gjatë një deklarate në Forumin Ekonomik të Beogradit, Hill vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut dhe theksoi rëndësinë e njohjes nga palët për situatën e serbëve në veri të Kosovës. /Pamfleti